Qindra demonstrues janë mbledhur para Bashkisë së Kopenhagenit, në kuadër të protestave të organizuara njëkohësisht në Danimarkë dhe Groenlandë, kundër presidentit amerikan Donald Trump dhe deklaratave të tij për marrjen nën kontroll të Groenlandës.

Protestuesit në kryeqytetin danez kanë nisur marshimin drejt ambasadës amerikane, ndërsa tubime të ngjashme janë paralajmëruar edhe në Groenlandë dhe qytete të tjera të Danimarkës.

“Po protestojmë kundër ambicieve amerikane për aneksimin e Groenlandës. Kërkojmë respekt për Mbretërinë Daneze dhe për të drejtën e Groenlandës për vetëvendosje”, ka deklaruar Camilla Siezing, kryetare e Shoqatës Inuit, duke shtuar se përmes këtyre protestave synohet të tregohet mbështetja e gjerë për Groenlandën.