Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, së bashku me ministrin e Shëndetësisë Azir Aliu dhe ambasadorin e OSBE-së në Shkup, Kilian Wahl, promovuan Protokollin për trajtimin e personave pa shtetësi, transmeton TV21.

U theksua se protokolli do të përmirësojë koordinimin institucional dhe do të vendosë një qasje më efikase për identifikimin dhe zgjidhjen e rasteve të personave pa shtetësi.

Protokolli i ri pritet të mundësojë procedura më të qarta dhe zgjidhje më të shpejta, veçanërisht për të miturit, ndërsa vendi do të vazhdojë harmonizimin me standardet ndërkombëtare.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Wahl, vlerësoi se promovimi i protokollit përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara dhe një përmirësim të përpjekjeve të mëparshme.

Ministri i Shëndetësisë, Aliu, theksoi se protokolli ka rëndësi të drejtpërdrejtë për sistemin e kujdesit shëndetësor dhe qasjen në shërbimet shëndetësore për personat pa shtetësi.

“Me protokollin që do të jetë në letër do ta përmirësojmë bashkëpunimin ndërinstitucional në të ardhmen si ta zgjidhim këtë problem në mënyrë sistematike dhe qasja e kësaj qeverie nuk është vetëm të sjell zgjidhje ad-hoc, si qeveritë e tjera, por të jep një zgjidhje sistematike të probleme”, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

“Në “e-shëndetësi” është krijuar, është definuar modul për këta qytetarë, që të mund të njëjtit t’i referojmë si pacientë në sistemin tonë shëndetësor”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.