Gazetar: Suad Bajrami

Inspektorët nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve kanë hyrë në Ministrinë e Drejtësisë, pasi ministri Igor Fillkov vazhdon të refuzojë dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Mbikëqyrja e jashtëzakonshme ka ardhur pas iniciativave të studentëve dhe qytetarëve. Inspektorët për Alsat thonë se kanë kërkuar të gjithë dokumentacionin, ndërsa e tërë procedura nuk duhet të zgjatë më shumë se 30 ditë.

“Ishte ai takim i parë, jemi në procedurë të mbledhjes së dëshmive për gjendjen faktike. Komplet materialet për mbarëvajtjen e provimit të jurisprudencës, duke filluar nga kërkesa, procesverbalet, aktvendimi për formimin e Komisionit, këto të gjitha janë kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë”, tha Fitim Ramadani, Inspektor.

Inspektorati ka tre ditë afat për ta përmbyllur mbikëqyrjen e jashtëzakonshme.

“Nëse e njëjta refuzon për të zbatuar amendamentin 5 të Kushtetutës dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, atëherë mesiguri që do t’i ndërmarrim të gjitha hapat dhe veprimet të cilat na garanton ligji për Inspektoratin dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve”, deklaroi Herolind Limani, Inspektor.

Ditëve në vijim pritet që edhe Avokat i Popullit të dalë me raport për çështjen e provimit të jurisprudencës pasi kanë kërkuar informata nga Inspektorati i Gjuhëve dhe Ministria e Drejtësisë. Kjo e fundit as për vizitën e sotme të Inspektoratit të Gjuhëve nuk kishte qëndrim. Vendimi i fundit i ministrit Fillkov ishte se për momentin nuk ka hapësirë për ndryshime ligjore. /Alsat.mk

The post Provimi i jurisprudencës/ Inspektorati i Gjuhëve “krehë” Fillkovin, kërkon zbatimin e ligjit appeared first on Alsat.