Është vigjilja e finales në kampin e Interit, me zikaltërit që kanë mbërritur dje në mëngjes në Mynih, ku sot në mbrëmje do të zhvillohet sfida kundër PSG-së së Luis Enrique. Ndeshje që vlen një sezon të tërë, ajo që mund t’i dorëzojë Ligën e Kampionëve skuadrës së Inzaghit dhe t’i japë kapitenit Lautaro Martinez mundësinë të ngrejë “kupën me veshë të mëdhenj”, 15 vite pas triumfit të fundit të klubit zikaltër.
Një ndeshje me mijëra kuptime, në të cilën sulmuesi argjentinas, i lënë pushim në ndeshjet e fundit të kampionatit për të qenë në formë të plotë për finalen e sotme, dëshiron të lërë gjurmë për të konfirmuar rëndësinë e tij në projektin e Interit: “Është sikur më kanë adoptuar, më morën që fëmijë dhe sot dua të jap 100% për këtë fanellë. ‘Topi i Artë’? Çmimet individuale vijnë pas atyre ekipore. Dua të jap maksimumin për Interin dhe ta ndaj gëzimin me tifozët”.
Çfarë do të thotë për ty të fitosh Champions-in?
Kam arritur objektiva të rëndësishëm, nga Kupa e Botës, ‘Copa America’, te trofetë e fituar me Interin. Do të ishte një objektiv i madh. Jam krenar që po luaj një tjetër finale dhe do të përpiqemi të bëjmë një ndeshje perfekte për ta marrë trofeun në Milano dhe Itali.
Si fitohet?
Duhet të jemi në maksimum, detajet bëjnë diferencën. Kushdo që do të bëjë më mirë, do ta marrë trofeun. E dimë që duhet të jemi të përqendruar për t’i ndalur parizienët, duhet të përfitojmë nga përgatitja jonë.
Si ndihesh në prag të kësaj ndeshjeje si kapiten?
Ndjej përgjegjësinë, por besoj se çdo ndeshje është finale. Sigurisht, kjo është finalja e vërtetë dhe kushdo që fiton, merr trofeun. Për ne ka rëndësi të luajmë siç kemi bërë gjithmonë, me armët dhe forcat tona. Kundërshtari duhet respektuar, por mendoj se mund t’i dëmtojmë me forcat tona.
Lautaro duket më shumë i vlerësuar në Itali sesa në Argjentinë. A e keni objektiv ‘Topin e Artë’?
E dini si më shohin në Argjentinë, por mendoj se çmimet individuale vijnë më pas. Nuk ka rëndësi Lautaro në planin personal, jo se nuk dua ta fitoj ‘Topin e Artë’, por dua të jap maksimumin për Interin. Dua ta ndaj gëzimin me tifozët, kjo ka rëndësi, sepse jam këtu prej 7 vitesh. Në Itali më shohin çdo ditë, prandaj më vlerësojnë më shumë. Edhe kur luaj me kombëtaren, shtypi është pozitiv.
Sezoni i konfirmimit në Europë?
Është një sezon ku kam shënuar shumë gola, kam luajtur ndeshje të rëndësishme. Përpiqem të rritem çdo ditë edhe me kombëtaren. Kam menduar çdo ditë për rritjen dhe arritjen e objektivave. Jam i lumtur me këtë rrugëtim dhe me mundësinë për të luajtur një tjetër finale Champions-i. Kjo është meritë e punës, sakrificës dhe përulësisë.
A është ky momenti i duhur për ta fituar Champions-in?
Me siguri jemi përmirësuar dhe kemi përparuar, duke përballuar kundërshtarë me shumë vlera, në stadiume të vështira. E kemi fituar respektin në Champions, kemi punuar me kokën ulur për ta çuar Interin sa më lart. E kemi këtë mundësi, shpresoj që kjo të jetë hera e duhur. Do të përpiqemi të bëjmë një ndeshje perfekte.
Si ndalet Kvaratskhelia?
E njohim, kemi luajtur kundër tij kur ishte te Napoli. Është një lojtar me cilësi, duhet të jemi të kujdesshëm ndaj tij dhe të gjithë lojtarëve të PSG, që kanë cilësi të ngjashme. Janë edhe pak orë, edhe një stërvitje e fundit për t’i përgatitur detajet. Do të pushojmë për të bërë një ndeshje të madhe.
Sa dëshirë keni t’ia dedikoni fitoren Inzaghit?
Çdo ditë dalin lajme, edhe për ne, por jemi të qetë. Trajneri është me ne dhe punon për ta përmirësuar skuadrën. Këtë javë kemi punuar si gjithmonë. Sigurisht që do t’ia dedikojmë fitoren atij, familjeve tona dhe tifozëve tanë. Ky sport është kështu, çdo ditë duhet të rritesh dhe të japësh maksimumin. Triumfi vlen për të gjithë; për atë dhe tifozët.
Një Lautaro i qetë dhe me Interin në zemër…
Është sikur më kanë adoptuar, më morën që fëmijë dhe sot dua të jap 100% për këtë fanellë. Sot kemi mundësinë të rikthejmë një trofe të rëndësishëm në shtëpi. Do të përpiqemi ta përgatisim ndeshjen sa më mirë për ta shijuar mbrëmjen. Kemi vuajtur dhe kemi punuar, e meritojmë të jemi këtu.
The post PSG-Inter, flet Lautaro: Na mungon vetëm një hap për ta bërë realitet ëndrrën e madhe appeared first on Telesport.
