Pas kallëzimit penal të paraqitur nga MPB, Prokuroria Themelore Publike ka hapur procedurë parahetimore ndaj gjashtë personave, të lidhur me rastin e marihuanës së sekuestruar në Serbi, e cila kishte origjinë nga Maqedonia. Sipas hetimit, këta persona, së bashku me dy persona ndaj të cilëve po zhvillohet procedurë në Serbi, me pronarin e kompanisë, si dhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë organizuar furnizimin me marihuanë dhe transportin e saj drejt Serbisë.
Një pjesë e këtyre gjashtë personave ndaj të cilëve po zhvillohet procedurë hetimore, praktikisht e kanë ritransportuar mallin në zonën e fshatit Saramzalinë, nga një kamion në tjetrin. Konkretisht, kanë shkarkuar një kamion që tashmë ishte zhdoganuar, pastaj me kamionin e zbrazët kanë shkuar në Sveti Nikollë, ku janë ngarkuar kutitë me kanabis. Më pas, me kamionin e ngarkuar kanë lëshuar shtetin përmes pikës kufitare Tabanoc dhe më vonë janë kapur nga policia serbe.
Në paraqitjen në emisionin “Klik Plus”, Toshkovski deklaroi se në fazën e parë kallëzim penal është paraqitur ndaj 10 personave, duke shtuar se sipas marrëveshjes me Serbinë për pikën kufitare “One Stop”, daljen nga Maqedonia dhe hyrjen në Serbi e kontrollon policia serbe.
“Pra, pyetja nuk është se si ka dalë nga Maqedonia, pyetja është se si ka hyrë në Serbi, nëse kuptohemi, në pjesën e kompetencës së MPB-së. Në pjesën e kompetencës së institucioneve të tjera, do të shohim”, tha Pançe Toshkovski.
