Publikohen pamjet e dhunës në Shkup: Pasi e goditi me makinë, shoferi del dhe rreh personin që dergjej në tokë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur para tre ditësh në komunën e Aerodromit, ku një zënkë në komunikacion ka përfunduar me dhunë brutale. Një lexues i “Sloboden Pechat” ka dërguar pamjet e incidentit ku shihet se si një shofer i makinës “BMW” godet qëllimisht drejtuesin e një trotineti.

​Sipas dëshmitarit që filmoi skenën, ngjarja nuk ishte thjesht një aksident, por një veprim i qëllimshëm. Pasi drejtuesi i trotinetit fluturoi mbi kapakun e makinës dhe ra në asfalt, shoferi i makinës doli jashtë dhe nisi ta sulmonte fizikisht personin që ishte i shtrirë në tokë.
​”Isha dëshmitar i një dhune brutale që më tronditi. Ajo që pashë ishte tentativë vrasjeje dhe jo thjesht ‘dhunë’ siç e raportoi policia,” thotë dëshmitari për mediat maqedonase.

​Nga ana tjetër, MPB njoftoi se ka arrestuar 32-vjeçarin me iniciale A.S., i cili akuzohet për veprën penale “Dhunë” sipas nenit 386 të Kodit Penal. Viktima e këtij sulmi është një 41-vjeçar nga Shkupi me iniciale Z.I.