Christian Pulisic, një nga më të mirët (nëse jo më i miri) në këtë sezon të Milanit, është intervistuar në vendlindje me rastin e prezantimit të fanellës së re (të katërt) të kuqezinjve nga revista e njohur “Sports Illustrated”. Numri 11 i “Djallit” foli për shumë tema të lidhura me botën e Milanit, edhe nga pikëpamja personale:
Për rrugëtimin e tij në karrierë: “Në njëfarë mënyre kam ndryshuar pak, jam rritur si person, si burrë, duke kuptuar rrugën që dua të ndjek në jetën time. Nuk mendoj se jam aq ndryshe, besoj se çdo futbollist kalon në këtë fazë. Gjatë viteve ndryshon klube dhe fillon të kuptosh se kush je, çfarë dëshiron dhe në ç’drejtim dëshiron të shkosh”.
Për rrugëtimin e tij në ligat më të mëdha: “Bundesliga më mësoi të bëhem profesionist, sepse ishte hapi im i parë. Premier League më vuri përballë presionit maksimal. Tani, me Milanin, ishte hapi i duhur për mua, sepse klubi më dha besim që nga fillimi dhe pata një start të shkëlqyer. Eksperienca italiane më ka mësuar shumë për qëndrueshmërinë dhe si të luaj në nivelin më të lartë”.
Për ardhjen e Conceição në mes të sezonit: “Është e vështirë kur vjen një trajner i ri dhe përpiqet të lërë gjurmën e tij, veçanërisht në mes të sezonit. Mund të jetë shumë e ndërlikuar, sepse luhet çdo disa ditë. Mendoj se Conceição është shumë, shumë pasionant. Ndihet pasioni i tij për lojën dhe mentaliteti fitues. Ai kujdeset me të vërtetë shumë, kjo i duhet një trajneri”.
Për aspektet ku mund të përmirësohet: “Mendoj se për mua është e rëndësishme të vazhdoj të punoj, siç po bëj. Duhet të fokusohem më shumë tek intensiteti pa top. Kur e bëj këtë, ndihem mirë, mund të jem më i lirë me topin dhe të marr rreziqe. Mendoj se Conceição është shumë i qartë për këtë me ne lojtarët ofensivë, veçanërisht për t’u siguruar që të mos kemi frikë”.
Ndikimi i Conceição te Pulisic: “Ai më ndihmoi ta filloja mirë, të ndihesha rehat. Më dha besimin për të qenë një nga lojtarët më të mirë, për ta shprehur lojën time në maksimum. Tani në fushë ndihem shumë i lirë dhe i sigurt. Mendoj se kjo është një nga gjërat më të mira që një lojtar ofensiv mund të ketë në futboll. Të gjithë, nga drejtuesit te shokët e skuadrës, më kanë dhënë besim dhe më kanë bërë të ndihem i mirëpritur te Milani”.
Për vazhdimësinë nga ana fizike: “Mendoj se është një nga superfuqitë më të mëdha që një futbollist mund të ketë, të qëndrojë në formë për një kohë sa më të gjatë. Lojtarët gjithmonë kanë ulje dhe ngritje gjatë karrierës së tyre. Për mua ishte thjesht çështje e gjetjes së një vazhdimësie më të madhe. Në njëfarë mënyre, të luash më rregullisht ndihmon shumë për të gjetur ritmin”.
Për marrëdhënien me Ibrahimović: “Marrëdhënia jonë ka qenë pozitive që në fillim. Ai më tha menjëherë se çfarë mund të prisja nga klubi, është mjaft i drejtpërdrejtë. Të thotë saktësisht atë që mendon, për mua kjo është e rëndësishme. Edhe në momentet e vështira të klubit, ai më ka ndihmuar, kujdeset shumë për lojtarët. Më pyet gjithmonë: Si je mendërisht? Si ndihesh? Ibrahimovic dëshiron që ne të fokusohemi vetëm tek ajo që ndodh në fushë. Na kujton që, nëse gjithçka është në rregull jashtë fushës, atëherë edhe në fushë do të shkojë mirë”.
Për krenarinë e të luajturit te Milani: “Nuk e harroj kurrë debutimin me një klub. Momenti më i rëndësishëm ishte ndeshja e parë në shtëpi, kur ndjeva vërtet se çfarë do të thoshte të vishja fanellën kuqezi. Kur hyn në ‘San Siro’, atëherë e kupton se je me të vërtetë te Milani. Të veshësh fanellën, presioni, emocionet, gjithçka që përfshin ky klub. Kur flitet për ëndrrat, flitet për fitimin e trofeve më të rëndësishëm në futboll dhe për të festuar me shokët e skuadrës pas sezoneve të gjata dhe të vështira”.
The post Pulisic: Me trajnerin Conceição ndihem më i lirë dhe i sigurt, Ibra kujdeset shumë për lojtarët appeared first on Telesport.
