Gazetar: Angell Dimovski
Është arritur marrëveshje mes Qeverisë dhe sindikatave për rritjen e pagave në administratë dhe gjyqësor, me ç’rast pagat do të rriten me përqindje çdo vit, ndërsa deri në vitin 2028 do të jenë më të larta për 40% krahasuar me shumën që marrin tani. Rritje do të marrin mbi 11 mijë punonjës administrativë.
“Do të nënshkruhen kontrata kolektive individuale me të cilat të punësuarit në administratë dhe gjyqësor do të kenë metodologji të qartë për rritjen e pagave. Siç e kam theksuar shumë herë edhe në të kaluarën, këta të punësuar gjithmonë mbeteshin disi në fund. Megjithatë, me këto rritje të pagave ata do të kenë edhe të drejta më të favorshme se ato të përcaktuara me kontratën kolektive të përgjithshme, si dhe sistem i cili nga viti 2028 do të garantojë se këta të punësuar do të kenë paga dinjitoze për punën që e bëjnë,” tha Tërpe Dejanoski – SPOGj.
Marrëveshja është me afat deri në vitin 2028, kur Qeveria pret të arrijë marrëveshje me sindikatat për kontratë të re kolektive të përgjithshme.
“Të ulemi dhe të negociojmë për kontratë të re kolektive të përgjithshme, e cila do të jetë mjeti i vetëm mbi bazën e të cilit do të paguhen pagat. Nga ana tjetër, ajo do të jetë mjet që do ta kenë si punonjësit ashtu edhe Qeveria. Vlerësojmë se një kombinim i tillë ‘win-win’, pra të dyja palët të fitojnë, e sidomos qytetarët dhe shteti, mund të arrihet me punë të mençur dhe të përgjegjshme,” deklaroi Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Ndryshe, kontrata kolektive e përgjithshme e deritanishme ka skaduar, por mbetet në fuqi derisa të nënshkruhet e reja.
Nëse paga minimale rritet për 1500 denarë, të punësuarit në administratë dhe gjyqësor do të marrin rritje mbi ato 1500 denarë edhe 8%. Pra, nëse një person ka marrë pagë pak mbi 30 mijë denarë, me këtë marrëveshje do t’i rritet për gati 4 mijë denarë, dhe kështu do të vazhdojë në tre vitet e ardhshme. /alsat.mk
The post Qeveria dhe sindikatat arritën marrëveshje për rritjen e pagave në administratë dhe gjyqësor appeared first on Alsat.
