TVSH-ja për benzinat rikthehet nga 10% në 18%, por akcizat e ulura për karburantet prej dy denarësh për litër mbeten në fuqi deri në mesin e qershorit. Gjithashtu është siguruar sërish një zbritje prej dy denarësh për litër nga OKTA, e cila hyn në fuqi nga nesër.
Qeveria, në një mbledhje të jashtëzakonshme, vendosi ta zgjasë masën për uljen e akcizave, e cila do të skadonte nesër, ditë kur edhe Komisioni Rregullator për Energjetikë pritet të shpallë çmimet e reja të karburanteve.
Nga Qeveria thonë se, falë këtyre masave dhe sipas përllogaritjeve të tyre, pritet që çmimi i naftës të ulet për 6,5 denarë për litër, ndërsa çmimi i benzinave të ulet për 1,5 denar për litër.
Aktualisht, benzina me 95 oktanë shitet me çmim prej 87,5 denarësh për litër, benzina me 98 oktanë kushton 89,5 denarë për litër, ndërsa nafta shitet me çmim prej 92 denarësh për litër.
