Kryeministri francez, François Bayrou, ka humbur një votëbesim që ai vetë kërkoi për qeverinë e tij. Asambleja Kombëtare e Francës votoi për shkarkimin e tij me 364 vota kundër tij dhe qeverisë së tij dhe 194 pro, duke rrëzuar qeverinë e tij të pakicës.

Bayrou tani duhet t’ia paraqesë dorëheqjen Presidentit Emmanuel Macron dhe zyra e Bayrou njoftoi se ai do ta bëjë këtë nesër në mëngjes. 

Parlamenti votoi mosbesim ndaj qeverisë mbi planet e saj për të ulur borxhin në rritje të vendit, duke thelluar krizën politike dhe duke i dhënë Presidentit Emmanuel Macron detyrën e gjetjes së një kryeministri të pestë në më pak se dy vjet.

Reagime entuziaste si nga e djathta ashtu edhe nga e majta

“Ky moment shënon fundin e agonisë së një qeverie fantazmë”, tha udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, duke bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat Macron deri më tani i ka përjashtuar.

“Sot është një ditë lehtësimi për miliona francezë, një ditë lehtësimi për largimin tuaj”, tha Mathilde Panot e partisë së ekstremit të majtë “Franca e Papushtuar” në një debat para votimit.

Kryeministri Francois Bayrou (74) mori detyrën vetëm nëntë muaj më parë.

Macron tani ka tre mundësi

Pasi të japë zyrtarisht dorëheqjen nesër, Macron do të përballet me një ngushtim të opsioneve, me tregjet financiare që sinjalizojnë shqetësim për krizën politike dhe fiskale të Francës. Asnjë nga opsionet në dispozicion të presidentit francez nuk është veçanërisht tërheqëse, raporton BBC. 

Ai mund të emërojë një kryeministër të ri, por gjetja e një kandidati që nuk refuzohet menjëherë nga një prej fraksioneve kryesore parlamentare nuk do të jetë e lehtë. Vitin e kaluar, procesi zgjati disa javë. Derisa të emërohet një pasardhës, Bayrou ka të ngjarë të mbetet në detyrë si kryeministër teknik.

Macron mund të thërrasë gjithashtu zgjedhje të reja parlamentare. Kjo do të ndryshonte ekuilibrin aktual të pushtetit, por mund të rezultojë në një fitore edhe më bindëse sesa pritej për Tubimin Kombëtar (RN) të ekstremit të djathtë të Marine Le Pen.

Një tjetër mundësi është të shpallen zgjedhje presidenciale në të cilat Macron nuk mund të jetë kandidat sepse mandati i tij i dytë përfundon në vitin 2027. Disa grupe parlamentare po i bëjnë thirrje atij të vendosë për këtë veprim, por ai e ka përsëritur disa herë se nuk do të japë dorëheqjen.

Pse Bayrou thirri papritur një votëbesim ndaj qeverisë?

Bayrou papritmas thirri një votëbesim ndaj qeverisë në një përpjekje për të fituar mbështetjen parlamentare për strategjinë e tij për të ulur një deficit që është pothuajse dyfishi i kufirit evropian prej 3 përqind dhe për një strategji për t’u marrë me borxhin ekuivalent me pothuajse 114 përqind të PBB-së.

Por partitë opozitare nuk ishin të gatshme të mbështesnin kursimet e tij të planifikuara prej 44 miliardë eurosh në buxhetin e vitit të ardhshëm.

 

The post Qeveria franceze ka rënë, Macron tani ka tre mundësi appeared first on Alsat.