Ai mbase më së miri mund t’i kuptoj problemet e bizneseve shqiptare, pasi që ishte në krye të Odës së Maqedonisë Veriperëndimore dhe u tërhoq për të kandiduar si i pavarur për Komunën e Strugës.
Mendi Qyra takoi sot ish-kolegët e tij në OEMVP, nga ku u shpreh se do të nis me bashkëpunimin e një kompanie private në selektimin e mbeturinave në Strugë.
“Për komunën e Strugës për një bashkëpunim të mëtutjeshëm ku ka të bëjë me seleksionimin e mbeturinave dhe kjo do të jetë e mirëseardhur për qytetarët e Strugës. Ne do të fillojmë të bashkëpunojmë nga dita e parë me Odën ekonomike sepse ka çfarë ofron, normalisht ne do të bëjmë të pamundurën që të marrim edhe përvojën e Odës dhe të bëjmë më të mirën për qytetarët”, tha Mendi Qyra, kandidat i pavarur për Strugën.
Nga OEMVP thonë se nga platforma e tyre dorëzuar kandidatit për Strugën ndër të tjerat kanë kërkuar edhe heqjen e deponive ilegale dhe ruajtjen e ambientit jetësor. Ushtruesi i detyrës kryetar Nuhi Aliu, potencoi se Struga mbahet me flamur të kuq për radhitjen me të lartë të të sëmurëve me kancer sipas koeficientit për kokë banori andaj presin përmirësim të situatës.
“Zotëri Mendiu dha sqarime dhe projektimet e veta se si në të ardhmen Struga jo të jetë në vendin e parë por të jetë në vendin e fundit në aspektin e sëmundjeve kancerogjene për arsye se kishte projektet e veta konkrete me të cilat do ti zbusë të gjithë ato faktorë që ndikojnë këtë sëmundje kancerogjene të eliminohet”, tha Nuhi Aliu, u.d. kryetar i OEMVP.
Ndër temat që janë diskutuar në takim ndërmjet Odës dhe kandidatit Qyra janë përshpejtimi i dhënies së lejeve të ndërtimit, sjellja e planit urbanistik, funksionalizim të administratës, të ketë transparencë dhe të zbatohen ligjet që kanë të bëjnë me pushtetin lokal. Kujtojmë që koalicioni VLEN e mbështet Qyrën në kandidimin e tij për Strugën.