Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi sot se nxënësit e vitit të parë në shkollat e mesme, për herë të parë do të marrin uniforma shkollore falas.

“Dallimet sociale shpeshherë bëhen shkak për ndarje, diskriminim, madje edhe bullizëm, prandaj po vendosim një masë me të cilën krijojmë një mjedis më të barabartë, më të sigurt dhe më të këndshëm për të gjithë nxënësit. Për herë të parë, çdo nxënës i regjistruar në vitin e parë të shkollave të mesme do të marrë uniformë shkollore falas”, ka shkruar Gjorgjievski në një postim në Facebook.

Ai theksoi se kjo masë do të zvogëlojë dallimet sociale, do të lehtësojë barrën financiare për familjet dhe do t’u mundësojë nxënësve të përqendrohen në atë që është më e rëndësishme – arsimin, zhvillimin personal dhe ndërtimin e së ardhmes së tyre.

“Uniformat do të kontribuojnë edhe në krijimin e një kodi të barabartë dhe dinjitoz të veshjes, një praktikë që prej vitesh zbatohet në shumë sisteme moderne arsimore. Me një sërë masash konkrete, po e shndërrojmë shkollën në një bazë të vërtetë për dije, sukses dhe përparim të ardhshëm profesional. Në një mjedis ku çdo fëmijë do të ndihet i pranuar, i respektuar dhe i barabartë, pavarësisht statusit ekonomik të familjes së tij”, u shpreh kryetari i Shkupit.

Gjorgjievski shtoi se vlera e një nxënësi nuk matet me rrobat që vesh, por me dijen, karakterin dhe ëndrrat që ndërton. Ai porositi se shkolla duhet të jetë vendi ku të rinjtë garojnë në dije, punë dhe sukses, e jo në atë se kush vesh rroba më të shtrenjta apo kush ka prindër me fuqi më të madhe financiare.