“Te Marseille luaj në Champions, por është e qartë që nëse më telefonon Allegri, jam gjithmonë i gatshëm të flas me të”. Me këtë deklaratë, në intervistën për “Gazzetta dello Sport”, Adrien Rabiot ndez merkaton dhe i bën të ëndërrojnë tifozët e Milanit.

“Me Allegrin flas shpesh. Giovanni Rossi, këshilltari i De Zerbit, punon me të dhe kur e telefonon, më thotë: Eja, të të kaloj babin tënd… Me Allegrin mund të flas për gjithçka, e vlerësoj shumë, ka një mentalitet fitues”, – tha Rabiot.

Kështu, mesfushori francez hedh një sinjal për rikthim të mundshëm në Itali, pikërisht në një moment kur në “Casa Milan” pritet një ofertë e re dhe më e lartë nga Manchester City për Reijnders, i cili nga ana e tij dëshiron të transferohet në Angli për të luajtur sërish në Champions League.

Ish-lojtari i Juventusit shihet si zëvendësuesi ideal i holandezit, edhe për faktin se, falë një klauzole apo marrëveshjeje në kontratën me Marseille, do të mjaftonin pak më shumë se 10 milionë euro për ta sjellë në Milano.

Pengesa e vetme e rëndësishme është paga e tij: rreth 3.5 milionë euro neto, që me disa bonuse të lehta arrin në 5 milionë. Milani kishte menduar për Rabiot edhe verën e kaluar, pas largimit të tij nga Juve, por nuk u gjet marrëveshja. Tani, prania e Allegrit në pankinën kuqezi mund ta lehtësojë afrimin e tij.

Trajneri i Milanit ka nxitim për ta ndërtuar skuadrën, po mendon për ta përforcuar mbrojtjen dhe po vlerëson edhe mesfushën. Përveç zëvendësuesit të Reijnders, që ai do të donte të ishte pikërisht Rabiot, do të nevojitet edhe një “regjisor”. Emri i parë në listë për këtë rol është Samuele Ricci i Torinos.

The post Rabiot “iu shkel syrin’ kuqezinjve: Allegri është si babai im, flasim shpesh. Po më kërkoi ai… appeared first on Telesport.