Gazetar: Zekirija Haxhiu

Rumen Radev është kryeministri i ri i Bullgarisë ndërsa kandidatura e tij u mbështet me 124 vota “PËR” në Kuvendin bullgar. Krerët e partive politike maqedonase në vend ia uruan atij fitoren dhe formimin e Qeverisë. Madje kryeministri Mickoski shfrytëzoi rastin që përmes një konference për media, t’i bëj thirrje Radevit për një takim kokë më kokë. Përsëriti qëndrimin se nuk pret përmirësim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Nuk pres përmirësim sepse derisa ka këlyshë nga LSDM të cilët gjunjëzohen dhe i shesin interesat nacionale nuk pres përmirësim. Në vend se të qëndrojnë afër nesh dhe të luftojnë për interesat maqedonase, këta këlyshë vendosën të gjunjëzohen atje. Sa i përket z.Radev ai sapo fitoi unë të nesërmen në mëngjes e thirra ia urova dhe i dëshirova të kemi marrëdhënie të suksesshme ndërfqinjësore dhe shpresoj se me këtë qeveri do të mundemi t’i përmirësojmë marrëdhëniet ndëretinke, do të mund të flasim për temat për të cilat duhet të diskutojmë. Nuk shoh arsye pse mos ta thërras në takim, ja tani e thërras”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.

Radevin e uroi edhe kreu i LSDM-së, Venko Filipçe. Shpreson që përmes një dialogu konstruktiv, pa shkeljen e linjave të kuqe dhe me respektimin e identitetit maqedonas, të mund të tejkalohen të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve.

Shpresojmë se Qeveria e re bullgare do të tregojë qasje konstruktive dhe të arsyeshme ndaj Maqedonisë së Veriut, me qëllim ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore të cilat do të jenë në interes të qytetarëve dhe dy shteteve, pa rrezikuar identitetin nacional maqedonas, gjuhën dhe kulturën. Maqedonia është fuqishëm e përcaktuar për të ardhme evropiane. Rruga e vetme është rruga e eurointegrimeve“, shkroi Filipçe.

Ditën kur u mbajtën zgjedhjet në Bullgari, Radev u bëri thirrje autoriteteve maqedonase që të përmbushin marrëveshjen e arritur në vitin 2022 dhe të përfshijnë bullgarët në Kushtetutë. Megjithatë, ministri i jashtëm Timço Mucunski dje edhe një herë e përsëriti se Maqedonia e Veriut për momentin nuk është e gatshme për një gjë të tillë./Alsat.mk

The post Radev kryeministër i ri i Bullgarisë, Mickoski e fton në takim appeared first on Alsat.