Kylian Mbappé shënoi të dy golat e Real Madridit në “Camp Nou”, ndërsa i dyti ishte i 100-ti me fanellën e bardhë. Vetëm 23 futbollistë e kishin arritur më parë këtë shifër në historinë e “Los Blancos”. Barcelona është kundërshtari ndaj të cilit ka shënuar më shumë që nga mbërritja në Madrid; 8 gola në 7 ndeshje. Sipas Opta-s, askush nuk ka shënuar më shumë se ai në 7 “El Clasico” e para të këtij shekulli.
Ritmi i 100 golave – Mbappé i realizoi 100 golat në 116 ndeshje. Vetëm Puskas (101), Cristiano Ronaldo (105), Pahiño dhe Alfredo Di Stéfano (114) e arritën më shpejt. Mesatarja e tij prej 0.86 golash për ndeshje është e katërta më e mirë mes lojtarëve të Realit me të paktën 100 gola, pas Cristiano Ronaldo (1.03), Puskas (0.92) dhe Pahiños (0.87).
Gola, raste dhe efikasitet – Që nga sezoni 2024-2025, vetëm Harry Kane ka shënuar më shumë në pesë ligat kryesore europiane: 112 gola në 114 ndeshje, kundrejt 100 golave të Mbappé në 116 ndeshje. Erling Haaland renditet i treti me 85 gola.
Kane shndërron në gola 26.11% të goditjeve dhe ka shënuar 24.71 gola më shumë se pritshmëria statistikore (xG). Mbappé ka realizuar 19.38% të goditjeve, duke tejkaluar xG e tij me 10.24 gola. Megjithatë, ai kryeson për vëllimin e rasteve të krijuara, me xG 89.76 dhe 516 goditje, mbi 4 për ndeshje. Shënon një gol çdo 95 minuta, përpara Haaland (107), por pas Kane (80).

Sulmuesi që i krijon vetë golat – Mbappé ka realizuar 17 gola nga jashtë zonës, shifra më e lartë në pesë ligat kryesore që nga mbërritja e tij te Reali. Gjithashtu, 19 gola i ka shënuar pas një depërtimi me topin në këmbë për të paktën pesë metra. Vetëm Raphinha (23) dhe Olise (21) kanë më shumë.
Harta e 5408 prekjeve të topit tregon se ai vepron kryesisht në krahun e majtë, përpara zonës. Kjo shpjegon edhe 84 golat me të djathtën, shpesh pas depërtimeve diagonale drejt qendrës. Vetëm dy gola i ka shënuar me kokë, ndërsa 14 me të majtën. Nga 100 golat, 21 janë realizuar me penallti, nga 26 goditje të ekzekutuara. 17 kanë ardhur nga jashtë zonës, ndërsa 62 të tjerët nga aksione brenda saj.
Përmirësim nga sezoni në sezon – Në sezonin 2024-2025, Mbappé shënonte çdo 107 minuta; më 2025-2026, çdo 87 minuta, ndërsa këtë sezon çdo 83 minuta. Deri tani ka realizuar 14 gola në 13 ndeshje, të gjitha si titullar. Efikasiteti i tij është rritur nga 18.14% në 21.88%, ndërsa xG-ja për ndeshje nga 0.70 në 1.04. 14 golat e këtij sezoni përputhen pothuajse me xG-në prej 13.58, çka tregon se rritja e prodhimtarisë lidhet kryesisht me rastet që krijon skuadra.
Periudhën më të mirë e ka kaluar nën drejtimin e Xabi Alonsosl 30 gola në 28 ndeshje, një gol çdo 75 minuta dhe efikasitet 22.56%. Me Arbeloa ka shënuar 13 gola në 19 ndeshje, një çdo 115 minuta, ndërsa xG-ja prej 12.82 ishte pothuajse e barabartë me golat e realizuar. Me Ancelotti shënoi 43 gola në 56 ndeshje, ndërsa me Mourinho ka 14 gola në 13 ndeshje.
Në La Liga numëron 67 gola në 75 ndeshje, ndërsa në Champions League 25 në 28 ndeshje, me të njëjtën mesatare prej 0.89 golash për takim. Ka shënuar edhe në ndeshjet e vetme që ka luajtur në Superkupën e Europës dhe Kupën Interkontinentale. Në Superkupën e Spanjës dhe Botërorin e Klubeve ka realizuar nga një gol, në 3 ndeshje për secilin turne.

“Viktimat” e tij dhe bashkëpunëtorët – Barcelona kryeson listën e kundërshtarëve ndaj të cilëve Mbappé ka shënuar më shumë, me 8 gola. Pas saj vijnë Real Sociedad (7 gola në 5 ndeshje), Villarreal dhe Sevilla (nga 5 gola në 5 ndeshje). Ai ka realizuar 4 gola kundër Olympiacos dhe 3 kundër Kairat, në vetëm një ndeshje për secilin, si dhe 4 gola ndaj Manchester City në 3 përballje.
Vinicius është lojtari që i ka dhënë më shumë pasime për gol; 13. Pas tij renditen Arda Güler me 12 dhe Jude Bellingham me 9. Të tre kanë kontribuar në 34 nga 100 golat e Mbappé.
Francezi e ka arritur tashmë kuotën e 100 golave, por mbetet për t’u parë nëse do ta ruajë mesataren prej 0.86 golash për ndeshje me kalimin e kohës. Cristiano Ronaldo e mbylli aventurën te Reali me mesataren 1.03 pas 438 ndeshjesh, ndërsa Benzema me 0.55 pas 648 ndeshjesh.
The post Radiografia e 100 golave të Mbappé me Real Madridin; sulmuesi që i krijon vetë golat appeared first on Telesport.
