Nga samiti i shtatë i Komunitetit Politik Evropian që po zhvillohet në Kopenhagë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dhënë disa mesazhe sa i përket rrugëtimit të Shqipërisë për në BE. Shefi i qeverisë shqiptare tha se jemi duke vrapuar drejt unionit dhe se Bashkimi Europian mund të mësojë nga Shqipëria .

“Sa i përket procesit të anëtarësimit, ne nuk po presim, por po vrapojmë. Po vrapojmë shumë shpejt dhe ne do të jemi gati shumë shpejt dhe është në dorë të vendeve të mëdha që të mos presim më, por të na pranojnë sepse ne do të jemi një vlerë e shtuar për BE-në. Europa mund të mësojë shumë nga Shqipëria. Për të vepruar si një i vetëm. Për të konverguar gjithçka që ka të bëjë me sigurinë, gjë që nuk po ndodh. Dhe për më tepër, jo vetëm të forcojmë ushtrinë, por edhe të kemi një plan paqeje. Kjo është gjëja më e mirë që ka ndodhur që prej krijimit të BE-së. Sa më shumë që shtyjmë në këtë drejtim, aq më mirë është, sepse ndërkohë të tjerët po dalin shumë të fortë dhe Europa si e tërë është një masë e madhe sa i përket popullatës, sa i përket ekonomisë, por duket e dobët se është si një e vetme”,

 tha Rama.

Rama më pas u ndal tek sfidat e sigurisë, nisur edhe nga konteksti i tensioneve të shtuara kryesisht në Balltik, pas ndërhyrjeve me dronë dhe avionë luftarakë rusë. Rama tha se Shqipëria është nën sulm kibernetik nga Irani, por siguroi që vendi ynë nuk do të thyhet pasi sipas tij kemi një prej mbrojtjeve më të forta kibernetike në Europë.

“Sa i përket shënjestrimit për sulme kibernetike, ne kemi sot një prej mbrojtjeve më të forta kibernetike në Europë. Ndonëse jemi ende shënjestër e një armiku, Iranit, ne po i zmbrapsim dhe ata nuk po arrijnë ta thyejnë mbrojtjen tonë kibernetike”, deklaroi kreu i qeverisë.