Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama reagoi ndaj deklaratës së Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën ndër tjerash thuhet se Rama duhet të pendohen se kishte ndikuar në bindjen e palëve për votimin e themelimit të Gjykatës Speciale.
Përmes një postimi në X, Rama la të nënkuptohet se sipas tij Vetëvendosje po e vë në fokus këtë temë me rastin e zgjedhjeve të balotazhit
“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim. Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale”, shkroi Rama.
Sa i përket protestës e cila do të mbahet në Tiranë, tha se do ta mbështese, por nuk konfirmoi nëse do të jetë i pranishëm fizikisht.
“ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës. Dhe e fundit, unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën e mbështes me gjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj”, përfundoi Rama.