Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte në Bruksel.

Përmes një postimi, Rama e ka cilësuar takimin si të veçantë, duke vënë në dukje vlerësimin e Rutte për ecurinë e sektorit të mbrojtjes në Shqipëri dhe angazhimin e vendit në përmbushjen e detyrimeve si anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Kreu i qeverisë ka shprehur gjithashtu kënaqësinë për fjalët inkurajuese të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, të cilin e ka cilësuar si një njohës të Europës, vëzhgues të vëmendshëm të zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe dashamirës të Shqipërisë.

“Gjithnjë të veçanta takimet me Sekretarin e Përgjithshëm, Mark Rutte, një njohës i spikatur i Europës, vëzhgues i vëmendshëm i Ballkanit Perëndimor dhe dashamirës i hapur i Shqipërisë. Kënaqësi për fjalët vlerësuese dhe inkurajuese për ecurinë e sektorit të mbrojtjes në Shqipëri, si edhe seriozitetin e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të NATO”, shkruan Rama.