Ylber Ramadani është duke bërë një sezon mjaft të mirë në kampionatin italian me skuadrën e Leçes. Mesfushori i kombëtares së Shqipërisë është kthyer në titullar të padiskutueshëm te skuadra e tij, teksa në Itali e vlerësojnë maksimalisht edhe për kilometrat që bën nëpër ndeshjet e zhvilluara.

Në takimin ndaj Udinezes, Ramadani ka vrapuar për më shumë se 11 kilometra dhe ka aktualisht një mesatare që arrin në 10 kilometra për ndeshje. Në skuadrën e Leçes, askush nuk i ka këto parametra deri në këtë pikë të kampionatit, ndërkohë që edhe në Serinë A italiane, janë të paktë futbollistët që kanë vrapuar më shumë se mesfushori i kombëtares kuqezi.

Ramadani po luan në Serinë A me Leçen sezonin e tij të tretë dhe deri më tani, ka qenë ndër lojtarët më të dalluar. Së bashku me të në mesfushë, vendin e titullarit e ka fituar edhe mesfushori tjetër shqiptar, Medon Berisha që edhe realizoi në sfidën ndaj Udinezes, aty ku Ramadani vrapoi plot 11 kilometra.

The post Ramadani bëhet i pandalshëm te skuadra e Leçes appeared first on Alsat.