Ramush Haradinaj e ka propozuar Hashim Thaçin për president të Kosovës. Deputeti i Aleancës Haradinaj tha se në këtë kohë, do të ishte nderë për deputetët e legjislaturës së 11-të që ish-presidenti Hashim Thaçi të zgjidhej sërish në këtë post.

“Atij i është marrë mandati nga një ndërhyrje ligjore dhe me kthimin e tij është nderin tonë si shqiptar, si komb, jo për shkak të ndonjë afërsie partiake a politike, por për shkak të një kundërpërgjigje të armiqve të Kosovës që kurrë nuk flenë, që t’ia vazhdojmë mandatin. Ka edhe x opsione të tjera mos me mbajtur peng Kosovën”, deklaroi Ramush Haradinaj, Deputet i Aleancës.

Edhe nga ish-partia e Thaçit, Partia Demokratike e Kosovës, kanë shprehur mbështetje për një mandat të ri për ish-presidentin.

“Presim që më 16 shtator, ai dhe çlirimtarët të vijnë të lirë dhe do t’i presim të gjithë. Andaj është mundësi e mirë, edhe pse jo, të gjitha forcat politike të japin mbështetje për presidentin Thaçi që të vazhdojë punën aty ku e ka lënë”, theksoi Arian Tahiri, Deputet i PDK-së.

Megjithatë, në një intervistë të dhënë me shkrim nga Haga, Thaçi kishte deklaruar se, nëse lirohet, nuk synon t’i rikthehet garës politike. Propozimi i Haradinajt që Thaçi të ketë edhe një mandat vjen në kohën kur Vetëvendosje dhe LDK kanë zhvilluar bisedime për gjetjen e një emri konsensual për postin e presidentit, megjithatë asnjëra palë nuk ka përmendur ndonjë emër konkret. Kurti po kërkon marrëveshje politike për presidentin, para se të vazhdohet me konsitutimin e Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e qershorit./Alsat.mk.

The post Ramush Haradinaj propozon Hashim Thaçin për president: Rikthimi i tij e nderon kombin shqiptar appeared first on Alsat.