Ndryshimet kushtetuese, mungesa e përparimit në funksionimin e gjyqësorit, ndikimet mbi të, lufta kundër korrupsionit, detyrimet e agjendës reformuese dhe ndryshimet në Kodin Penal — këto janë pikat kryesore ku u fokusua euroambasadori Rokas në lidhje me vërejtjet dhe rekomandimet e raportit të Komisionit Evropian.
“Është i nevojshëm konsensusi për avancimin e disa reformave dhe hapave kyç, përfshirë amendamentet kushtetuese për të cilat shteti është zotuar si pjesë e integrimit në Bashkimin Evropian. Pres hapat tuaj për të ecur përpara. Ajo që shqetëson më së shumti është sundimi i ligjit — nuk ka asnjë progres në funksionimin e gjyqësorit dhe asnjë progres në luftën kundër korrupsionit”, tha Mikhailis Rokas, Euroambasador.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova tha se për të, anëtarësimi në BE paraqet perspektivë dhe stabilitet, por njëkohësisht pati kritika ndaj BE-së për standarde të dyfishta. Ajo theksoi se nuk është e vërtetë që nuk janë punuar ndryshimet kushtetuese; sipas saj, ato kanë hyrë në rend dite në Komision, por nuk e kanë kaluar as hapin e parë.
“Ajo që nuk duhet harruar janë kriteret e veçanta për ne. Pse kaq gjatë e ecim këtë maratonë me pengesa? Sepse përveç kritereve të Kopenhagenit, ne kemi marrë edhe kritere shtesë. Të gjitha vlerësimet nuk mund të shkëputen nga kërkesa kryesore, që është kërkesa për ndryshime kushtetuese — të jemi të sinqertë”, pohoi Gordana Siljanovska Davkova, Presidente e RMV-së.
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, u ndal tek disa nga vërejtjet e BE-së.
“Reformat në gjyqësor nuk janë as angazhim teknik e as politik. Ato janë themeli mbi të cilin qëndron perspektiva evropiane, një masë legjitimiteti përpara qytetarëve dhe një kriter i rëndësishëm për hapjen dhe mbylljen e kapitujve”, theksoi Orhan Murtezani, ministër për Çështje Evropiane.
Kryetari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Venko Filipçe, me kritika ndaj pushtetit lidhur me raportin dhe me zhgënjim ndaj tyre për shkak të toneve euroskeptike. Ai veçanërisht kritikoi pjesën që ka të bëjë me ndikimin ndaj gjyqësorit.
“Qeveria po përpiqet të ushtrojë ndikim mbi të gjitha institucionet e pavarura që janë jashtë pushtetit ekzekutiv. Më së shumti, më fuqishëm dhe më qartë mbi pushtetin gjyqësor — presion publik dhe i hapur, që për herë të parë prej vitit 1991 shkaktoi një reagim të qartë nga komuniteti gjyqësor. Do ta quaja një precedent shoqëror, jo vetëm në shtet”, deklaroi Venko Filipçe – Kryetar i Këshillit Nacional për Eurointegrime.
Ky është raporti i 16-të i Komisionit Evropian për progresin e vendit, që nga viti 2009, kur Maqedonia mori për herë të parë rekomandim pozitiv për nisjen e negociatave me BE-në.

