Raporti i Komisionit Evropian konstaton “përparim të mirë” të Maqedonisë në transformimin digjital dhe në fushën e mediave, duke e vlerësuar nivelin e përgatitjes si “mesatar deri në të mirë”. Këtë e bëri të ditur ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, gjatë prezantimit të gjetjeve të Raportit të KE-së për vitin 2026.
Ai theksoi se vlerësimi i përmirësuar është rezultat i ligjeve të miratuara, sistemeve të krijuara dhe shërbimeve që qytetarët po i përdorin gjithnjë e më shumë.
Sa u përket shërbimeve elektronike, Andonovski bëri të ditur se deri në fund të gushtit, në Portalin Kombëtar ishin në dispozicion 338 shërbime. Prioritet, sipas tij, është që këto shërbime të mund të përfundohen plotësisht në mënyrë elektronike, pa pasur nevojë që qytetarët të paraqiten fizikisht në institucione.
Rritje të konsiderueshme ka edhe në shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve. Transaksionet mujore në platformën e interoperabilitetit janë rritur nga 700 mijë në vitin 2024, në 1.4 milionë në vitin 2025 dhe 5.2 milionë në vitin 2026.
“Institucionet duhet të shkëmbejnë të dhëna, jo qytetarët dokumente”, deklaroi Andonovski.
Sistemi elektronik për menaxhimin e dokumenteve – eDMS, deri në fund të qershorit është përdorur nga 44 institucione. Ministri paralajmëroi se në muajt e ardhshëm kësaj platforme do t’i bashkohen edhe 20 institucione të tjera.
Në fushën e sigurisë kibernetike, Komisioni Evropian ka evidentuar krijimin e ekipit qeveritar për reagim ndaj incidenteve kompjuterike (MKD-GOV-CSIRT), si dhe investimet në platformë dhe në ngritjen e kapaciteteve profesionale.
Andonovski foli edhe për zhvillimin e inteligjencës artificiale përmes projektit “Vezilka”, për të cilin Qeveria dhe Ministria po investojnë mbi 90 milionë denarë. Projekti, i koordinuar nga FINKI, synon të lidhë studiuesit, studentët dhe kompanitë maqedonase me ekosistemin evropian.
“Ne kemi talent. Detyra jonë është të krijojmë kushte që ky talent të punojë, të hulumtojë dhe të krijojë këtu, në Maqedoni”, u shpreh ministri.
Ai paralajmëroi gjithashtu vazhdimin e përmirësimeve të aplikacionit “m.Uslugi” dhe zhvillimin e portofolit digjital.
“Më pak pritje në sportele. Procedura më të shpejta. Shërbime më të sigurta. Më shumë mundësi për kompanitë dhe të rinjtë tanë”, përfundoi Andonovski.
