Reagime të ashpra pas protestave të djeshme, ku mijëra qytetarë dolën për të mbështetur protestën e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë dhe për të shprehur revoltën për pagat e ulëta në vend. VMRO-DPMNE e cilësoi protestën si politike, ndërsa krerët e LSM-së si marioneta politike të opozitës. Thonë se mbështetja nga LSDM dhe Levica për LSM-në është vetëm dëshmi se ata nuk kanë asnjë qëllim të sinqertë, por vetëm sulm ndaj Qeverisë, e cila po bën gjithçka për rritjen e pagave dhe pensioneve.

“Punëtorët do të mbeten pa pagë minimale 600 euro në vitin 2028 për shkak të LSM-së, Sllobodan Trendafilovit dhe Trpe Deanoskit. Robëria politike e LSM-së nga LSDM po shihet në praktikë. Se Sllobodan Trendafilovit dhe Trpe Deanoskit, ashtu si edhe LSM-së si sindikatë, nuk u interesojnë punëtorët, dëshmohet nga fakti se kanë refuzuar rritje 40% të pagave për nëpunësit administrativë ose minimumi në shifra mbi 10 mijë denarë për vetëm dy vjet nga sot”, tha Valentin Manasievski – VMRO-DPMNE.

Nga LSDM, ndërkohë, paralajmëruan se do të dorëzojnë zgjidhje ligjore në Kuvend për rritjen e pagave të punëtorëve dhe ngrirjen e pagave të funksionarëve. Thonë se i mbështesin kërkesat e punëtorëve dhe të LSM-së, se janë të hapur për bashkëpunim dhe propozime dhe shpresojnë që pushteti t’i pranojë.

“Ne kemi përgatitur zgjidhje të reja ligjore që do t’i dorëzojmë në Kuvend. Së pari, propozim-ligj për ndryshime në ligjin për pagën minimale, ku propozojmë rritjen e pagës minimale në vlerë prej 600 euro neto, si dhe ngrirjen e pagave të funksionarëve”, theksoi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Me reagim në rrjetin social “X” doli edhe guvernatori i Bankës Popullore Trajko Sllaveski. Ai kërkoi negociata të përgjegjshme për pagat.

“Pavarësisht manipulimeve me shifrat nga ana e LSM-së, fakt është se paga mesatare në vend vitin e kaluar u rrit nominalisht për 9,2%, ndërsa realisht për 5,1%. Pritjet për normën e inflacionit për këtë vit janë që të mos e kalojë 3%. Shtrohet pyetja: a ka logjikë kërkesa e LSM-së, e mbështetur nga disa subjekte politike për motive populiste? Përgjigjja është më se e qartë – kërkesa joserioze nga subjekte joserioze!”, u shpreh Trajko Sllaveski, Guvernator i Bankës Popullore.

Sindikalistët, nga ana tjetër, janë të prerë se nëse Qeveria nuk ka vullnet të ulet dhe të negociojë për zgjidhjen e çështjes së pagave, do të vazhdojnë me bllokada të rrugëve dhe institucioneve. Nuk përjashtojnë as bllokimin e gjithë shtetit përmes grevës së përgjithshme në sektorin publik, por edhe për herë të parë në histori edhe në sektorin privat.