Real Madridi po përgatit një ofertë prej 100 milionë funtesh për mesfushorin e Man. Sitit, Rodri, fitues i Topit të Artë. Sipas “The Sun”, klubi spanjoll e sheh 29-vjeçarin si zëvendësuesin ideal për Toni Kroosin, boshllëku i të cilit ende ndjehet në mesfushën e “Los Blankos”.
Rodri ka kontratë me Man. Sitin deri në verën e vitit 2027, por deri më tani ka hezituar të pranojë një zgjatje të saj. Kjo ka nxitur spekulime për një largim të mundshëm, veçanërisht pasi verën e ardhshme ai do të hyjë në dy vitet e fundit të kontratës.
Man. Siti ndodhet përballë një vendimi të rëndësishëm – ta rinovojë tani kontratën ose të konsiderojë shitjen për të shmangur rënien e vlerës së tij në treg më vonë.
Raportimet e fundit nga Anglia dhe Spanja thonë se klubi anglez po punon për ta mbajtur Rodrin, por Real Madridi është i gatshëm të përfitojë nga çdo pasiguri.
The post Reali Madridi, gati oferta për mesfushorin spanjoll të Mançester Sitit appeared first on Alsat.
