‘Regjimi i Ajatollahëve është drejt rrënimit’, thotë kreu i opozitës iraniane

Djali i shahut të fundit të Iranit dhe një nga figurat kryesore të opozitës në mërgim, Reza Pahlavi, deklaroi sot për AFP se regjimi aktual në Teheran është afër rrëzimit, duke e krahasuar situatën me ‘momentin e rënies së Murit të Berlinit’.

“Regjimi është në prag të kolapsit. Ne duhet ta lehtësojmë këtë proces dhe të qëndrojmë në krah të popullit iranian, jo ta shpëtojmë sërish regjimin duke i dhënë një litar të ri shpëtimi,” tha Pahlavi, duke i bërë thirrje Perëndimit të mos nisë negociata të reja me udhëheqjen aktuale fetare të Iranit, të drejtuar nga Ajatollah Ali Khamenei që nga viti 1989.

Në një intervistë të dhënë ditën e sotme, Pahlavi u kërkoi Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane të pranojnë se ndryshimi i regjimit është parakusht për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet rajonal.

Vetëm shkatërrimi i objekteve bërthamore nuk garanton paqe. Ajo vjen vetëm përmes një tranzicioni demokratik,” tha ai, duke theksuar se “është koha të qëndrojmë me popullin iranian dhe të mos përsërisim gabimet e së kaluarës.

Pahlavi, 64 vjeç, jeton në mërgim në SHBA që prej rënies së monarkisë në vitin 1979, kur i ati, shahu i mbështetur nga SHBA-të, u rrëzua pas Revolucionit Islamik. Ai ka qenë përkrahës i rivendosjes së lidhjeve me Izraelin dhe nuk ka dënuar sulmet izraelite ndaj Iranit, një qëndrim që ka ngjallur debat mes iranianëve.

Mbështetja për Pahlavin në Iran mbetet e paqartë. Ndërsa disa e shohin si figurë simbolike të ndryshimit, të tjerë ende kujtojnë represionin e policisë sekrete SAVAK të epokës së Shahut. Gjatë protestave të kaluara, janë dëgjuar si slogane pro, ashtu edhe kundër monarkisë.

Pa dhënë detaje, Pahlavi deklaroi se struktura e pushtetit në Teheran është drejt shpërbërjes dhe se zyrtarë të lartë, përfshirë familjen e udhëheqësit suprem, po përgatiten për t’u larguar nga vendi.

“Ky është momenti ynë i Murit të Berlinit. Por si çdo moment ndryshimi historik, ai vjen me rreziqe,” paralajmëroi ai.

I pyetur nëse synon të bëhet shahu i ri apo të udhëheqë politikisht tranzicionin, ai u përgjigj:

“Nuk kam nevojë për një titull për të luajtur rolin tim. Rëndësi ka të jesh një figurë që mund të mobilizojë një komb.”

Pahlavi tha se mbështet një sistem të ri demokratik, të ndërtuar mbi integritetin territorial, liritë individuale, barazinë mes qytetarëve dhe ndarjen e fesë nga shteti. Ai kërkoi që forma e ardhshme e qeverisjes të vendoset nga populli nëpërmjet një referendumi.

Ai shtoi se grupet pranë tij po hartojnë një plan ekonomik për të ardhmen e vendit dhe po punojnë për të mbledhur një takim gjithëpërfshirës kombëtar që përfshin aktivistë, disidentë, profesionistë dhe ekspertë nga spektri i gjerë ideologjik.

Pahlavi deklaroi gjithashtu se ka krijuar një platformë për oficerët iranianë të sigurisë, ushtrisë dhe policisë që duan të shkëputen nga regjimi.

Sa u përket dyshimeve të liderëve perëndimorë mbi pasojat e mundshme të rrëzimit të regjimit iranian, ai tha:

“Nuk po kërkoj që Perëndimi të mbështesë një ndryshim regjimi. Por të pranojë se ai është zgjidhja e vetme e qëndrueshme.”

The post ‘Regjimi i Ajatollahëve është drejt rrënimit’, thotë kreu i opozitës iraniane appeared first on Alsat.