Reperja e njohur Nicki Minaj ka shprehur publikisht mbështetjen për presidentin amerikan Donald Trump, duke u shfaqur së bashku me të në një tubim në Michigan, ku u bëri thirrje qytetarëve të votojnë për kandidatët republikanë në zgjedhjet e mesmandatit.
“Trump ka ndryshuar energjinë e vendit. Ai na ka dhënë një të ardhme për të cilën ia vlen të presim”, u shpreh Minaj gjatë aktivitetit, pasi presidenti amerikan e ftoi në skenë dhe e vlerësoi për pamjen e saj.
Këngëtarja, e njohur për hitin “Super Bass”, e ka cilësuar më parë veten si “fansja numër një” e Trumpit, edhe pse në të kaluarën ka kritikuar disa prej politikave të tij.
Gjatë tubimit në qytetin e Port Huronit, Minaj, e veshur me një kostum ngjyrë ari të markës Gucci, iu bashkua turmës në thirrjet në mbështetje të Trumpit dhe kandidatëve republikanë në Miçigan.
“Ne kemi vërtet nevojë që të gjithë këta njerëz të mrekullueshëm të zgjidhen, sepse ky është një moment vendimtar për vendin tonë”, deklaroi ajo.
Trump, nga ana tjetër, e komplimentoi këngëtaren për pamjen dhe inteligjencën e saj. Gjatë fjalimit, ai bëri edhe një koment për format trupore të Minaj, duke tërhequr vëmendjen e të pranishmëve dhe duke e ftuar atë të ngrihej në këmbë mes duartrokitjeve të turmës.
Pjesëmarrja e reperes vjen në një moment të rëndësishëm për politikën amerikane, pasi zgjedhjet e mesmandatit do të përcaktojnë se cila parti do të ketë kontrollin e Kongresit gjatë pjesës së mbetur të presidencës së Trumpit.
Në Miçigan, kandidati demokrat për Senatin, Abdul El-Sayed, po përballet me republikanin Mike Rogers në një garë të ngushtë. Gjatë tubimit, Trump sulmoi El-Sayed për besimin e tij mysliman dhe prejardhjen, duke pretenduar se fitorja e tij do të sillte rreziqe për sigurinë e vendit.
El-Sayed i ka cilësuar më herët deklaratat e tilla të presidentit si islamofobike, duke e akuzuar atë se përpiqet të shpërqendrojë qytetarët nga problemet ekonomike dhe vështirësitë që po përballen amerikanët në jetën e përditshme.
Në fushatën e tij, Trump po kërkon mbështetjen e votuesve për kandidatët republikanë, ndërsa demokratët kanë shtuar aktivitetet në terren. Ish-presidenti Barack Obama ka marrë pjesë gjithashtu në një tubim në mbështetje të demokratëve.
Nicki Minaj kishte udhëtuar drejt Michiganit me avionin presidencial Air Force One. Gjatë udhëtimit, ajo realizoi edhe një video me një prej ndihmësve të Trumpit, duke bërë shaka sikur po intervistohej për postin e zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë.
Reperja me origjinë nga Trinidad dhe Tobago ka mbështetur edhe më parë disa prej qëndrimeve të Trumpit, përfshirë pretendimet e tij për persekutimin e të krishterëve në Nigeri dhe nismën për vizat “Gold Card”, që u ofrojnë aplikantëve mundësi qëndrimi në SHBA dhe një rrugë drejt marrjes së shtetësisë amerikane.
