Gazetar: Avni Tahiri

Reshjet e dendura gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar një sërë problemesh në mbarë vendin, duke aktivizuar ekipet e Qendrave Rajonale për Menaxhim me Kriza për intervenim në disa pika kritike, shkruan Alsat.

Sfidat më të mëdha janë evidentuar në rajonet e Manastirit, Ohrit, Kërçovës dhe përgjatë akseve rrugore.

Niveli i ujit mbetet ende i lartë në pjesën e sipërme të pellgut të lumit Vardar, ndërsa pritet rritje e nivelit të ujit edhe në pjesën e mesme dhe të poshtme të rrjedhës së lumit. I lartë mbetet edhe niveli i ujit në pellgun e lumit Radika.

Gjithashtu, është rritur niveli i ujit të lumit Treska, ku sipas QMK, mund të ketë vetëm dalje të vogla lokale të ujit pranë zonës së Pllasnicës. Nga QMK, njoftojnë se gjatë 24 orëve të fundit, në numrin e emergjencës 112, kanë pranuar disa thirrje për intervenim.

“Në rajonin e Manastirit, ekipe dhe makineri të ndërmarrjeve publike kanë intervenuan në pastrimin e mbetjeve dhe forcimin e argjinaturave në disa pjesë të shtretërve lumorë. Në Ohër dhe Kërçovë, niveli i ujërave është i rritur, por nuk ka daljesh nga shtrati. Më kritik mbetet pjesa në rrugën Prilepska në Kërçovë, ku është kërkuar ndërhyrje komunale. Në Ohër po ndërhyhet pas raportimit për përmbytje të bodrumeve në lagjen Hekurudha, të shkaktuara nga kanale të hapura në mënyrë të paautorizuar. Në Kumanovë, lumi Pçinja ka dalë për pak kohë nga shtrati por pa shkaktuar dëme”, thonë nga QMK.

Për shkak të niveleve ende të larta të ujit në disa prej pellgjeve lumore, nga QMK, apelojnë për lëvizje të kujdesshme pranë lumenjve dhe përroskave gjatë ditës së sotme.

Në rrugën rajonale Makdonski Brod – Shkup, përmes Parkut Nacional “Jasen”, është regjistruar rrëshqitje e madhe dheu, e cila ka ndërpre qarkullimin rrugor. Rruga është pastruar në një korsi, ndërsa po vazhdojnë aktivitetet për pastrim të plotë dhe sigurim të traseve.

Nga lidhja Auto- Moto, njoftojnë se në vendkalimet kufitare nga ana vendit tonë nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti u bën apel drejtuesve të mjeteve ta përshtatin shpejtësinë e lëvizjes dhe të ngasin me kujdes, veçanërisht në rrugët që kalojnë nëpër lugina dhe grykat, ku ekziston mundësia e paraqitjes së rrëshqitjeve të dheut. / Alsat.mk

The post Reshjet e shiut rrisin nivelin e lumenjve appeared first on Alsat.