Një memorandum mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit për të ndalur luftën mund të nënshkruhet të dielën, sipas një burimi perëndimor që i tha agjencisë së lajmeve, Reuters të premten, ndërsa Gjeneva po shihet si vendi më i mundshëm për nënshkrim.

Burimi tha se formulimi i marrëveshjes ende po finalizohet dhe se Irani po mban qëndrimin e tij që marrëveshja duhet gjithashtu të përfshijë përfundimin e luftimeve në Liban, ku Izraeli po përballet me grupin Hezbollah, të mbështetur nga Irani.

Synimi është që teksti të finalizohet deri të shtunën, në mënyrë që marrëveshja të mund të nënshkruhet nga zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance dhe kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf. Ende nuk është përcaktuar vendi i saktë, por Gjeneva shihet si opsioni më i mundshëm.

Presidenti amerikan Donald Trump të enjten ka thënë se i ka anuluar sulmet e reja ndaj Iranit, pasi marrëveshja është pothuajse gati.

“Ne sapo kemi arritur një marrëveshje të madhe për luftën me Iranin”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë, sipas zyrtarëve iranianë, kushtet e marrëveshjes nga ana e Teheranit nuk ndryshojnë.
Një burim i lartë iranian tha të premten se drafti do të përfshinte heqjen e sanksioneve ndaj naftës iraniane, lirimin e miliarda dollarëve të fondeve iraniane të ngrira dhe ndalimin e luftimeve në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin.

Çështjet bërthamore do të shtyheshin për bisedime të mëvonshme. Uashingtoni kërkon një marrëveshje që të sigurojë që Irani të mos zhvillojë kurrë armë bërthamore, ndërsa Irani thotë se nuk ka një qëllim të tillë.

Heqja e sanksioneve, zhbllokimi i aseteve iraniane dhe ndalimi i sulmeve izraelite në Liban janë kërkesa kyç të Iranit. Burimi nuk ka përmendur se çfarë mund të ofrojë Irani në këmbim. Nuk ka ende një reagim zyrtar nga Shtetet e Bashkuara.

Agjencia iraniane e lajmeve Mehr raportoi se kushtet përfshijnë gjithashtu lëshime të tjera të rëndësishme nga SHBA-ja, përfshirë një zotim për të tërhequr forcat e saj nga zonat pranë Iranit dhe për të paraqitur një plan për rindërtimin e ekonomisë së shkatërruar iraniane.

“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet të paraqesin plane për rindërtimin e Iranit me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë”, thuhej në raportin e Mehrit.