Deputeti i Frontit Evropian, Skender Rexhepi, kërkoi që çështja e provimit të jurisprudencës të zgjidhet me lex specialis dhe jo të dërgohet në Komisionin e Venedikut. Ai e pyeti kryeministrin Mickoski nëse do ta tërheqë projektligjin për provimin e jurisprudencës, në mënyrë që kjo çështje të rregullohet ashtu siç janë rregulluar të gjitha provimet profesionale që jepen në gjuhën shqipe.
“Pse për provimin e jurisprudencës ka nevojë për një ligj shtesë, cila është logjika kur dihet qartë se neni 9 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve e jep këtë të drejtë, që dygjuhësia të përdoret edhe në gjyqësor dhe në prokurori, dhe këto dispozita duhet të marrin jetë edhe në ligjet dhe institucionet përkatëse. Prandaj, konsideroj se është bërë politikë e panevojshme ditore në këtë drejtim dhe, kryeministër, pyetja ime është nëse do ta tërhiqni këtë projektligj dhe do të lejoni që Ministria e Drejtësisë ta kryejë punën e saj në drejtim të harmonizimit të ligjit përkatës”, tha Skender Rexhepi.
Në Kuvend nuk është dorëzuar ligj që unë të mund ta tërheq, ndërsa ajo që i është dorëzuar Komisionit të Venecias është material për të cilin kërkojmë mendim dhe, pasi të na e dorëzojnë atë mendim, do të vendosim se çfarë do të bëjmë më tej, u përgjigj Mickoski. Ai shtoi se as ata, si deputetë, e as më herët, kur ishin në pushtet, nuk kishin dorëzuar një ligj të tillë.
“Nuk ju dëgjova gjithashtu që në fjalimin tuaj të thoni pse nuk propozuat ju një ligj të tillë, ja, një lex specialis këtu. Ajo që duam të bëjmë është t’u ndihmojmë sa më shumë që mundemi atyre studentëve, të cilët i shohim si studentë dhe jo si përqindje, jo si shifra, por si të rinj që duhet të fillojnë karrierën dhe jetën e tyre. Në sistemin gjyqësor të shtetit, në përputhje me mendimin e po këtij Komisioni të Venedikut, i cili ka dhënë mendim për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, parimi i franka lingua-s, përkatësisht një gjuhë në gjyqësor, është garancia e vetme për sundimin e së drejtës”, tha Mickoski.
Ndërkaq, edhe seanca e sotme për pyetjet e deputetëve filloi me reagime dhe vërejtje procedurale nga deputetët e opozitës shqiptare, veçanërisht nga ata që nuk kanë grup parlamentar. Ata kërkuan të jenë ndër të parët që parashtrojnë pyetje, duke thënë se gjithmonë janë të fundit në këtë listë. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dha pauzë që të arrihet marrëveshje lidhur me këtë kërkesë, pas së cilës deputetët e opozitës shqiptare u larguan të kënaqur me marrëveshjen e arritur.
