Rezolutë e përbashkët në Parlamentin Evropian nga Maqedonia dhe Bullgaria, me të cilën do të njihej identiteti dhe gjuha maqedonase si të veçanta dhe të pacënueshme, pa kushte shtesë. Ky është propozimi i kryeministrit Hristijan Mickoski drejtuar drejtpërdrejt presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev. Ende nuk ka përgjigje nga pala bullgare.

Por a është e pranueshme kjo për opozitën? Sipas kreut të LSDM-së, Venko Filipçe, është jo serioze që çështje kaq të rëndësishme të trajtohen përmes konferencave për shtyp dhe agjendës politike ditore. Filipçe thotë se VMRO-DPMNE duhet të deklarojë qartë nëse ka një plan serioz për veprim diplomatik. Ai shton se për një çështje të tillë duhet të ketë një propozim serioz që do të dorëzohet në Kuvend.

“Një gjë e tillë, megjithatë, mendoj se bëhet si propozim në Kuvend, diçka ku duhet të marrin pjesë të gjitha partitë politike dhe nëse ka një propozim serioz, ne padyshim do ta mbështesim”, tha Filipçe.

Propozimin për një rezolutë të përbashkët me Bullgarinë e përmendi publikisht kryeministri Mickoski, e menjëherë më pas edhe në konferencë për shtyp e prezantoi Antonio Miloshoski. Po ashtu, nga VMRO-DPMNE dolën me akuza ndaj LSDM-së, se ajo është pjesë e operacioneve destruktive të shërbimeve bullgare. Siç thotë Mile Lefkov, portale të ndryshme bullgare në internet me lajme të rreme po kryejnë një operacion diskreditimi të orkestruar nga shërbimet bullgare dhe bashkëpunëtorët e tyre në Maqedoni. Megjithatë, shton se ky operacion është i dështuar.

“Kjo operacion i koordinuar nuk ka bazë ideologjike. Ai është i motivuar nga revanshizmi dhe nga dëshpërimi i politikës bullgare që më nuk ka më poltronët e saj në Maqedoni. Sot, kur Maqedonia ka një qeveri stabile dhe qëndrim të qartë, bëhet e qartë se nuk ka më biznes, pasaporta dhe marrëveshje të fshehta në këmbim të ndryshimeve kushtetuese dhe dorëzimeve historike. Pas dënimit të pozicioneve bullgare në Parlamentin Evropian, është aktivizuar rrjeti i vjetër i diskreditimit”, tha Lefkov.

Marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë janë ftohur përsëri pas votimit të raportit të Tomas Vajc për vendin tonë, kur pas kërkesave të eurodeputetëve bullgarë dhe grekë, nga raporti u hoq pjesa ku përmendet gjuha dhe identiteti maqedonas.