Kategoria Superiore regjistron tjetër trajner të shkarkuar në këtë edicion. Radha për t’u larguar i erdhi serbit Aleksandar Veselinović nga stoli i “demave të kuq”. Humbja e djeshme në shtëpi 3-2 ndaj Bylisit e ka sosur përfundimisht durimin e drejtuesve të Partizanit, të cilët kanë bërë “kokë turku” trajnerin për rezultate të dobëta, edhe pse në merkaton e janarit shitën tre-katër lojtarët më të mirë të skuadrës.
“Klubi i Futbollit Partizani njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Aleksandar Veselinović për shkak të rezultateve të dobëta. Vendimi i marrë pas humbjes së sotme bazohet te rezultatet e papranueshme të kohëve të fundit, dhe mbi të gjitha mungesa e lojës dhe karakterit që duhet të shprehë ekipi i Partizanit në fushën e blertë.
Trajnerit Veselinovic i urojmë suksese në karrierën e tij të mëtejshme. Duke filluar nga dita e shtunë, ekipi do të nisë përgatitjet me përqëndrim maksimal për të luftuar deri në fund si në Kupë edhe në Kampionat dhe për ta kthyer PARTIZANIN ATY KU I TAKON…”, – shkruhet në njoftimin për shtyp të klubit të kuq me këtë rast.
The post Rezultatet e dobëta nuk tolerohen më. Partizani shkarkon trajnerin serb, Veselinović appeared first on Telesport.
