Kombëtarja e Shqipërisë në volejboll për femra fitoi sot 3-1 ndaj Luksemburgut në Volleyball European League (Liga Europiane e Volejbollit). Ndeshja e luajtur në Odensa të Danimarkës ishte e vlefshme për fazën eliminatore të këtij turneu. Në grupin eliminator janë edhe vendi organizator e Lituania.

Një fitore me përmbysje e vajzave kuqezi (drejtohen nga italiani Nicola Cornelli), që e nisën jo mirë sfidën, duke humbur 21-25 setin e parë. Më pas, Shqipëria “zgjohet”, luan mirë dhe dominon në fushë, duke fituar tri setet e tjera (25-17, 25-15, 25-14) dhe tregon forcën e saj dhe objektivat për të kaluar në turin tjetër.

Një fitore e merituar e vajzave kuqezi, që të udhëhequra në fushë nga kapitenia Erblira Bici, bënë diferencën. Pikërisht Bici ishte liderja e ekipit, duke qenë vendimtare me pikët e saj dhe një mbrojtje të kujdesshme. Nuk ishte e lehtë për Shqipërinë dhe këtë grup vajzash, që debutonin në një event të tillë.

Shqipëria rikthehej në arenën ndërkombëtare me ekipin e të rriturave pas 8 vitesh mungesë dhe ndoshta u desh një set për të kuptuar rëndësinë e takimit. Më pas, ndaj një rivali modest, Shqipëria dominoi dhe meritoi fitoren. Të shtunën, vajzat kuqezi do të luajnë ndaj Danimarkës dhe të dielën ndaj Lituanisë.

The post Rikthim me fitore pas 8 vitesh mungesë, Shqipëria mund 3-1 Luksemburgun në Ligën Europiane të Volejbollit appeared first on Telesport.