Këngëtarja me origjinë shqiptare, Rita Ora, ka ndarë një rrëfim prekës për një periudhë të vështirë të jetës së saj, kur pasiguritë për pamjen fizike ndikuan rëndë në shëndetin e saj mendor.

E ftuar në podcast-in “Happy Place”, artistja britanike foli hapur për ndjesinë e pamjaftueshmërisë që kishte ndjerë në fund të të njëzetave, kur nuk i përmbushte pritshmëritë shoqërore për një trup “të përsosur”.

“Fillova të sëmuresha shpesh, nuk kisha energji dhe nuk ndihesha mirë me veten. Nuk kujdesesha për trupin tim. Dhe pastaj erdhi mendimi: ‘Nuk jam aq e dobët sa të tjerët – prandaj jam e shëmtuar’. Sot më duket tronditëse që e besoja këtë”, tha Rita.

Në kuadër të bashkëpunimit me markën Dove dhe nismën “Self Esteem Project”, ajo theksoi rëndësinë e vetëpranimit dhe dashurisë për veten: “Është si të takosh atë vajzën e vogël që ishe dikur dhe t’i thuash: ‘Ti je shumë më e bukur se ç’mendon’. Të gjithë meritojmë ta ndiejmë këtë.”./Sinjali/