Luis Enrique nuk lë askënd të pakënaqur; për mirë, ose për keq. Në rastin e Rivaldos, të gjitha janë fjalë miradije për atë që ka qenë kolegu i tij në qytetin katalanas nga viti 1997 deri më 2002, periudha kur futbollisti brazilian mbronte ngjyrat blaugrana. “Lucho” kishte mbërritur atje një vit më parë dhe do të largohej dy sezone më vonë se braziliani.

Asturiani e mbylli karrierën e tij si lojtar në maj të vitit 2004 dhe më 2008 nisi rrugëtimin si trajner. Celta Vigo ishte stacioni i tij i fundit para se të kalonte në ekipin e parë të Barçës si trajner, ku zëvendësoi Tata Martinon në këtë pozicion. Atje fitoi dy herë La Liga-n, tri herë Kupën e Mbretit dhe një Superkupë të Spanjës.

Pastaj erdhi aventura e tij si trajner i kombëtares spanjolle, që ishte e ndarë në dy pjesë. Ai arriti deri në gjysmëfinale të “Euro 2021” dhe eliminimi i parakohshëm në Kupën e Botës së Katarit i dha fund trajektories me kombëtaren iberike. Pas disa muajsh pushimi, ai pranoi sfidën e PSG-së, ende me Kylian Mbappé në skuadër, edhe pse ka mundur ta shijojë vetëm një vit sulmuesin parizien.

Gjatë periudhës së tij në fushën e lojës, ish-lojtari i Real Sporting ishte një figurë luftarake, pasionante dhe gjithashtu shumë e talentuar. Ka qenë kaq i jashtëzakonshëm, sa shënoi 123 gola në 8 vitet e tij me Barçën.

“Ishte një lojtar luftarak. Një tip që shënonte gola, që luftonte gjatë gjithë kohës. Luajti gjithashtu te Real Madridi, pastaj kaloi te Barcelona. Isha shok ekipi me të, një njeri i shkëlqyer”, – theksoi Rivaldo.

Megjithatë, Rivaldo nuk kishte menduar se Luis Enrique do të merrte vendimin për t’u bërë trajner, por e mbështet plotësisht këtë rrugëtim të tij: “Nuk e imagjinoja që ai do të bëhej trajner pas përfundimit të karrierës si futbollist. Enrique zgjodhi një profesion të mirë, atë të trajnerit, për shkak të karakteristikave të tij luftarake. Dhe ia doli mbanë”.

Fituesi i “Topit të Artë” në vitin 1999, kur pikërisht ndante dhomat e zhveshjes me Luis Enrique, ka kujtime të shkëlqyera për asturianin, si në aspektin sportive, ashtu edhe personal: “Mendoj, nëse nuk gaboj, se e filloi te Barcelona, në kategoritë e të rinjve, pastaj u ngjit në ekipin e parë. Ishte një kampion i shkëlqyer, disa herë, dhe tani po arrin suksese. Ka gjithë mbështetjen time, sepse përveç se ishte një lojtar i shkëlqyer, është edhe njeri i jashtëzakonshëm. Tani po bëhet edhe trajner i shkëlqyer”.

Objektivi kryesor i PSG çdo sezon është të fitojë Ligën e Kampionëve, por ky moment ende nuk ka ardhur. Pas largimit të Kylian Mbappé është bërë edhe më i vështirë. Ai që mund të shkaktojë një “tërmet” të vërtetë te parizienët është eliminimi i mundshëm i ekipit në fazën e grupeve, këtë vit. Me formatin e ri, tetë të parët kalojnë drejtpërdrejt në çerekfinale, ndërsa nga vendi i nëntë deri tek i 24-ti luajnë një raund shtesë “play off”-i.

PSG është në prag të eliminimit. Në xhiron e parafundit të grupit do të presë Manchester City, që është në një situatë të ngjashme, dhe do ta mbyllë këtë raund me udhëtimin në Stuttgart. Aktualisht, PSG është në zonën e eliminimit direkt, i 25-ti me 7 pikë, një pikë larg objektivit. Ndërsa në Ligue 1, gjërat po shkojnë mjaft qetë. Ekipi parizien është lider në kampionat me 40 pikë, 10 pikë më shumë se Olympique Marseille.

The post Rivaldo lartëson Luis Enrique: Ka gjithë mbështetjen time, është njeri dhe trajner i shkëlqyer appeared first on Telesport.