Roboti i parë humanoid i Kinës, i quajtur Xueba 01 , është pranuar për doktoraturë në arte dramatike dhe film në një nga akademitë më prestigjioze të artit në vend, duke ngjallur vëmendje dhe debat të gjerë në mediat sociale kineze.

Roboti u zhvillua bashkërisht nga Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë i Shangait dhe kompania DroidUp Robotics, shkruan South China Morning Post. Emri i tij “Xueba” është një term popullor kinez për një student jashtëzakonisht të suksesshëm dhe të përkushtuar.

Sipas medias me seli në Shanghai, Shangguan News, Xueba 01 është 1.75 metra i gjatë, peshon rreth 30 kilogramë dhe mund të ndërveprojë fizikisht me njerëzit. Ka fytyrën e një burri të pashëm të rritur, me lëkurë silikoni që lejon shprehje të detajuara të fytyrës.

I veshur me syze, këmishë dhe pantallona, ai komunikon me njerëzit në gjuhën mandarine. Më 27 korrik, Akademia e Teatrit të Shangait (STA), një nga shkollat kryesore të arteve interpretuese në Kinë, pranoi zyrtarisht Sueba 01 në programin e saj të doktoraturës gjatë Konferencës Botërore mbi Inteligjencën Artificiale.

Ai do të ndjekë një doktoraturë katërvjeçare në dramë dhe film, me fokus në operën tradicionale kineze, dhe pritet të paraqitet në kampus më 14 shtator. Tarifat e shkollimit nuk janë bërë të ditura. Programi i doktoraturës në robotikë është pjesë e iniciativës kërkimore të STA-s për të lidhur artin dhe teknologjinë.

Sueba 01 është vlerësuar me një kartë identiteti virtuale studenti dhe mentori i tij është artisti dhe profesori i famshëm nga Shangai, Yang Qingqing.

The post Roboti kinez humanoid regjistrohet në studimet e doktoraturës në Universitetin e Shangait appeared first on Alsat.