Me roje 24 orëshe para Gjykatës Kushtetuese, Bashkimi Demokratik për Integrim do të mbrojë ligjin për gjuhët. Një pjesë e kryesisë, por edhe një pjesë e madhe e anëtarësimit të partisë u mblodhën para Gjykatës, ku protestuan me fishkëllima dhe parulla kundër seancës së paralajmëruar të mërkurën, ku duhet të diskutohen nenet e kontestuara të ligjit për gjuhët. Aty në orët e vona të pasdites u mbajt konferencë e jashtëzakonshme për media ku foli Arbër Ademi. Ai theksoi se këtu do të qëndrojnë deri të mërkurën kur është caktuar seanca e Gjykatës Kushtetuese, por nuk tha se si do të mbrojnë, përkatësisht nëse nuk do të lejojnë hyrjen e gjyqtarëve.

Ky ligj nuk është vetëm akt juridik, por është simbol i Marrëveshjes së Ohrit dhe themel i barazisë etnike, tha Ademi. Ai në mënyrë të drejtpërdrejt e akuzoi pushtetin se qëndron prapa iniciativës për rishqyrtimin e ligjit për gjuhët.

Zv/kryeministri i parë nga radhët e VLEN, Izet Mexhiti në profilin e tij në Facebook shkroi se gjuha shqipe nuk kontestohet por pasuria joligjore e BDI-së. U tha qytetarëve të rrinë rehat.

Seanca e Gjykatës kushtetuese për rishqyrtim të neneve të kontestuara të Ligjit për gjuhët është caktuar të mërkurën. Tani për tani dy gjykatësit shqiptar Osman Kadriu dhe Naser Ajdari paralajmëruan se do ta bojkotojnë seancën.