Aktori i njohur, Mickey Rourke, ka mohuar se e ka krijuar linkun në platformën për mbledhjen e fondeve “GoFundMe”, në mënyrë që ta shmangë dëbimin nga banesa prej pamundësisë për ta paguar qiranë.

Ai ka thënë se nuk është e vërtetë që po kërkon ndihmë financiare nga fansat, ani pse linku në “GoFundMe” ishte krijuar për ta mbështetur atë.

Përfaqësuesit e platformës për mbledhjen e fondeve kanë thënë se linku është krijuar me lejen e aktorit, për ta shmangur dëbimin, ka raportuar ABC7.

Pavarësisht asaj çfarë ka thënë Rourke në një video që ka postuar së fundmi në rrjete sociale, menaxherja e tij, Kimberly Hines, ka konfirmuar se linku është 100 për qind i vërtetë, duke i thënë The Hollywood Reporterit se e ka krijuar ajo vet.

Aktori fitues i çmimit “Golden Globe” ka thënë se nuk di gjë për linkun, se asnjëherë nuk do të kërkonte para, duke e quajtur të gjithë këtë punë “të turpshme”.

“Mos jepni para. Nëse keni dhënë, merrini mbrapsht mjetet tuaja”, ka thënë Rourke në një video të shpërndarë në rrjete sociale ditë më parë.

Ai ka thënë gjithashtu se është i nervozuar për kampanjën ne “GoFundMe”, e cila u formua të shtunën dhe shpejt arriti të grumbullojë 100 mijë dollarë amerikanë.

Donacionet në këtë kampanjë janë pezulluar.

Në videon e tij, Rourke ka pranuar se ka marrë hua para nga një shok, duke thënë se COVID-i dhe greva e aktorëve që ka ndodhur në Hollywood, i kanë shkaktuar telashe financiare.

Aktori, i cili sipas menaxheres së tij është dëbuar, ka pranuar se nuk e ka paguar qiranë për shkak të vështirësive jetësore.

Sipas raportimeve, muajin e kaluar, atij i është dhënë vërejtja se duhej të paguante 60 mijë dollarë për qiranë për shtëpinë e tij në Los Angeles. Por pavarësisht kësaj, ylli ka thënë se nuk do të kërkonte ndihmë financiare nga fansat asnjëherë.

“Jam shumë mirënjohës për atë që kam. Kam kulm mbi kokë. Kam ushqim për të ngrënë, kam banane, gjithçka është në rregull. Merrni paratë tuaja mbrapsht, ju lutem. Nuk më duhen paratë e askujt. Nuk do t’i bëja gjërat në këtë mënyrë. Kam shumë krenari. Ky nuk është stili im”, ka thënë Rourke.

Aktori i cili ishte nominuar për çmim “Oscar” për përformancën e tij në filmin “The Wrestler”, pretendon se nuk e di se kush e ka nisur kampanjën.

Ndërkohë menaxherja e tij, i ka thënë The Hollywood Reporterit se ai ishte dakord për të kërkuar ndihmë financiare, por ndoshta nuk e ka kuptuar si duhet se çfarë përshihet në kampanjë.

Ajo gjithashtu ka thënë se kjo gjë është bërë me qëllim e zemër të mirë, si dhe ka cekur se nëse Rourke vendos të mos i pranojë paratë, ato do të kthehen te donatorët.

Përveç ndihmës financiare, që kur është formuar kjo kampanjë, menaxherja ka thënë se katër role për filma i janë afruar Rourkeut.

The post Rourke mohon formimin e fondit online për mbledhjen e parave për ta shmangur dëbimin appeared first on Alsat.