
Projekcionet më të fundit të Bankës Popullore tregojnë se ekonomia e Maqedonisë do të ketë një rritje solide gjatë periudhës 2025 – 2028, me një Bruto Prodhim Vendor prej 3,5% në vitin 2025 dhe rritje prej 4% në vitet pasuese.
Inflacioni pritet të ulet nga 3,9% këtë vit në 2% deri në vitin 2028, ndërkohë që rritja do të nxitet kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe investimet, ndërsa neto-eksporti do të ketë një kontribut mesatar negativ, sipas guvernatorit Trajko Slavevski.
“Parashikimet janë që rritja ekonomike do të ngadalësohet minimalisht nga 3,3% e realizuar vitin e kaluar në 3,2% sipas vlerësimit për këtë vit, por kjo tendencë e lehtë vazhdon edhe më tej, që do të thotë se ende është mbi nivelin para pandemisë në krahasim me atë që po ndodh tani, që është ende më e lartë. Inflacioni global po ngadalësohet dhe do të vazhdojë të ngadalësohet, duke u ulur në nivelin 4,2 dhe 3,7 gjatë vitit 2025 dhe vitit pasues 2026”, tha Trajko Slavevski- Guvernator i BP-së.
Deficiti i llogarisë rrjedhëse të Maqedonisë pritet të arrijë në 4,2% të Prodhimit Bruto Vendor në vitin 2025, për shkak të uljes së të ardhurave nga shërbimet dhe të ardhurat dytësore. Në periudhën 2026 – 2028, bilanci pritet të përmirësohet në mesatare 3,4% të BPV-së, ndërsa të hyrat solide nga investimet e huaja dhe huamarrja afatgjatë do të ruajnë stabilitetin e rezervave valutore dhe monedhës vendase.
“Ne presim një zgjerim të moderuar vjetor të deficitit në llogarinë rrjedhëse në 4,2% të BPV-së në vitin 2025. Rritja e deficitit këtë vit do t’i atribuohet suficitit më të ulët në të ardhurat dytësore pas niveleve historikisht të larta të arritura në periudhën e kaluar”, u shpreh Trajko Slavevski- Guvernator i BP-së.
Gjatë periudhës 2025 – 2028 priten të hyra solide neto në llogarinë financiare, të cilat do të përdoren për financimin e deficitit të llogarisë rrjedhëse.
Sa i përket strukturës, pjesa më e madhe e të hyrave neto pritet të jetë në formën e investimeve të drejtpërdrejta të huaja dhe huamarrjes afatgjatë të shtetit jashtë vendit.
Për gjithë periudhën e projeksionit pritet rritje e rezervave valutore dhe ruajtje e nivelit të duhur për stabilitetin e monedhës vendase, theksoi guvernatori./ Alsat.mk

