Administrata e presidentit amerikan Donald Trump dje u kërkoi diplomatëve amerikanë jashtë vendit që t’u bëjnë thirrje aleatëve të shpallin Gardën Revolucionare Iraniane dhe Hezbollahun me seli në Liban si organizata terroriste, duke theksuar rrezikun në rritje nga sulmet, raportojnë mediat britanike.

Direktiva e brendshme, e datës 16 mars dhe e nënshkruar nga sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio, u dërgua në të gjitha misionet diplomatike dhe konsullore amerikane në mbarë botën. Në të kërkohet që diplomatët amerikanë t’u përcjellin këtë mesazh kolegëve të tyre “në nivelin më të lartë të përshtatshëm” më së voni deri më 20 mars, duke shtuar se përpjekjet për futjen e këtyre grupeve në listën e zezë duhet të koordinohen me homologët izraelitë.

Administrata Trump po përpiqet të mobilizojë aleatët hezitues – shumë prej të cilëve nuk ishin informuar paraprakisht për luftën ajrore mes SHBA-së dhe Izraelit që nisi dy javë më parë – që të mbështesin operacionin e saj ushtarak.

Disa aleatë amerikanë deklaruan dje se nuk kanë plane të menjëhershme për të dërguar anije për të ndihmuar forcat amerikane në zhbllokimin e Ngushticës së Hormuzit, duke refuzuar thirrjen e Trump për të mbajtur të hapur këtë rrugë jetike për transportin e naftës.

“Me rritjen e rrezikut nga sulmet e Iranit dhe partnerëve e ndërmjetësve të tij, të gjitha qeveritë duhet të veprojnë shpejt për të kufizuar aftësinë e Iranit dhe grupeve terroriste të lidhura me të për të sulmuar vendet dhe qytetarët tanë”, thuhet në një pjesë të telegramit.

Garda Revolucionare Iraniane është një forcë elitare ushtarake, që ka për qëllim mbrojtjen e regjimit klerikal shiit në Iran, dhe njëkohësisht kontrollon pjesë të mëdha të ekonomisë së vendit. Si Garda Revolucionare ashtu edhe grupi i armatosur shiit Hezbollah në Liban janë tashmë të shpallura si organizata terroriste nga SHBA dhe disa vende të tjera.