Ish-sulmuesi i Man. Junajtedit dhe legjenda e kombëtares së Anglisë, Uejn Runi, ka lavdëruar kapitenin e Sanderlandit, Granit Xhaka, duke e cilësuar si “ndoshta transferimin më të mirë të sezonit” në Premier Ligë. Sanderland ka impresionuar në rikthimin e tij në elitën e futbollit anglez dhe aktualisht renditet në vendin e katërt pas 11 ndeshjeve me 19 pikë, duke qenë në rrugën e duhur për të siguruar mbijetesën dhe ndoshta më shumë.
Në këtë sukses, kontributi i Xhakës ka qenë vendimtar. Ish-mesfushori i Arsenalit ka luajtur çdo minutë të çdo ndeshjeje, duke shënuar një gol dhe dhënë tre asistime, ndërkohë që ka sjellë stabilitet dhe lidership në mesfushë. Duke folur në emisionin e tij The Wayne Rooney Show, ish-ylli i “Djajve të Kuq”, ish-sulmuesi anglez tha se fillimisht kishte dyshime nëse Xhaka do t’ia dilte.
“Kur u kthye Xhaka në Premier Ligë, e pyesja veten nëse do ia dilte. Sidomos me një ekip të sapo-promovuar, çfarë ndikimi mund të kishte? Por ai ndoshta ka qenë transferimi i sezonit. Ka qenë i jashtëzakonshëm”, tha Runi.
Xhaka zhvilloi 297 ndeshje me Arsenalin, duke fituar dy Kupa të Anglisë, por shpesh ishte një figurë e diskutueshme për shkak të temperamentit. Ai u përjashtua pesë herë me karton të kuq, dhe gjatë kohës që mbante shiritin e kapitenit në vitin 2019, pati një përplasje të hapur me tifozët, gjë që çoi në heqjen e rolit të kapitenit. Runi shtoi se Xhaka është një futbollist me karakter të madh.
“Kur pati atë situatë me Arsenalin dhe u përplas me tifozët, ai tregoi karakter të madh duke u rikthyer e duke luajtur sërish për klubin. Ta kalosh një periudhë të tillë dhe të performosh siç bëri, pastaj të shkosh te Leverkuseni dhe të ndihmosh për të mposhtur Bayern Munichun pas më shumë se 10 vitesh, tregon se çfarë lojtari i madh është. Sanderland ka një skuadër shumë të re. Ai është si një figurë prindërore dhe do të jetë ndihmë e madhe për trajnerin, si kapiten që lidh lojtarët me stafin. Me gjithë transferimet që bënë këtë verë, ai është një shtyllë për ekipin dhe një shembull për lojtarët e rinj”, tha Runi.
The post Runi: Granit Xhaka, blerja më e mirë e sezonit në Premier Ligë appeared first on Alsat.

