Akuzat e presidentit amerikan Donald Trump se Rusia dhe Kina kanë kryer teste bërthamore nëntokësore në fshehtësi përveç mohimit të Pekinit nxitën edhe reagimin e Moskës.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka deklaruar se është i gatshëm të diskutojë me SHBA-të në lidhje me këto pretendime.
Tensionet mes dy fuqive më të mëdha bërthamore në botë, janë rritur pas dështimit të negociatave të nisura për ti dhënë fund luftës në Ukrainë.
Së fundmi shba akuzoi Moskën se kishte kryer fshehurazi shpërthime bërthamore, jo vetëm testimin e sistemeve të shpërndarjes, të cilat i bëjnë rregullisht të gjitha shtetet e armatosura me armë bërthamore.
“Jemi të gatshëm të diskutojmë dyshimet e ngritura nga kolegët tanë amerikanë në lidhje me mundësinë që ne mund të jemi duke bërë fshehurazi teste bërthamore”, tha Lavrov për mediat shtetërore ruse, ndërsa mohoi pretendimet e Trump duke shtuar se Shtetet e Bashkuara mund të kontrollonin Rusinë nëpërmjet sistemit global të monitorimit sizmik.
Lavrov tha gjithashtu se Moska ishte ende e hapur për një takim të mundshëm midis Putinit dhe Trumpit.
“Jemi të gatshëm të diskutojmë me kolegët tanë amerikanë rifillimin e punës përgatitore për samitin e propozuar të udhëheqësve të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”.
Ky samit më herët ishte diskutuar se do të mbahej në Budapest, ndërsa deklaratat e bëra nga Rusia duken më shumë si një manovër për të fituar kohë se sa vullnet për të arritur armëpushimin në Ukrainë.
The post Rusia mohon testet bërthamore/ Lavrov i përgjigjet Trump: Mund të na kontrolloni, jemi gati për bisedime appeared first on Alsat.

