Një sulm ajror gjatë natës, më i madhi deri tani që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, ka shkatërruar ndërtesën kryesore të qeverisë ukrainase në Kiev dhe ka shkaktuar vdekjen e tre personave, përfshirë një foshnjë, njoftuan zyrtarët ukrainas të dielën.

“Së pari, ndërtesa e Qeverisë është dëmtuar nga një sulm i armikut — çatia dhe katet e sipërme,” shkroi Kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, në aplikacionin Telegram.

Dëshmitarë raportuan se kati i sipërm i ndërtesës qeveritare, që ndodhet në distriktin historik Pecherskyi të kryeqytetit, u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit, ndërsa tym i dendur u ngrit drejt qiellit.

Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi 805 dronë dhe 13 raketa gjatë natës. Njësitë mbrojtëse ukrainase arritën të rrëzonin 751 prej dronëve dhe katër raketa — shifra më e lartë e përdorimit të dronëve në një natë që nga fillimi i luftës.

Ndërkohë, Shërbimi Shtetëror i Emergjencave bëri të ditur se 18 persona u plagosën në këtë sulm ajror masiv, që shkaktoi disa zjarre në pjesë të ndryshme të qytetit.

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, shkruan BBC, konfirmoi më herët se një grua e moshuar vdiq brenda një strehimoreje në Darnytskyi, ndërsa një grua shtatzënë ishte mes të plagosurve.

Zjarrfikësit raportuan se një zjarr shpërtheu në dy nga katet e një ndërtese banimi katërkatëshe në të njëjtin distrikt, duke e dëmtuar rëndë strukturën e saj.

Moska nuk ka komentuar ende mbi sulmet. Të dyja palët pretendojnë se nuk i synojnë civilët, megjithatë, mijëra persona kanë humbur jetën që nga nisja e luftës.

The post Rusia sulmon me dronë ndërtesat qeveritare në Kiev, tre viktima appeared first on Alsat.