Aktori i njohur australian Russell Crowe ka sqaruar se nuk ka ndërmend të martohet përsëri, pavarësisht thashethemeve të vazhdueshme se ai është fejuar me Britney Theriotin, me të cilën është në lidhje.
Ylli i filmit “Gladiator”, i cili ishte martuar me këngëtaren dhe aktoren Danielle Spencer në vitin 2003 dhe u divorcua më 2018, gjatë një interviste për programin 60 Minutes, ka thënë se martesa nuk është më pjesë e planeve të tij, ka raportuar FemaleFirst.
“Të gjitha këto raportime që unë dhe Britney jemi fejuar dhe do të martohemi? Jo, jam i gëzuar dhe i lumtur. Pse ta prishi atë me një martesë?” – ka thënë 61-vjeçari.
Crowe, që prej vitit 2020 është në një lidhje me 33-vjeçaren Theriot, foli me dashuri për marrëdhënien e tyre pesëvjeçare.
“Ne e respektojmë njëri-tjetrin, zgjohemi me buzëqeshje dhe jemi shumë të lumtur”, ka thënë aktori.
Ai e bëri të qartë se nuk ka më dëshirë të ecë drejt altarit.
“Kam qenë i martuar njëherë dhe e di se ku mund të përfundojë kjo. Një herë është mirë, por nuk dua ta bëj përsëri”, ka thënë ai.
Aktori, që ka dy djem, Charlesin 21 vjeç dhe Tennysonin 19 vjeç, shpesh ka qenë në qendër të spekulimeve për fejesë. Në vitin 2022, Britney u fotografua duke dalë nga një hotel në Itali me një unazë në dorë, gjë që nxiti dyshimet.
“Britney nuk u përpoq ta fshehë unazën, por as nuk dha shpjegime. Ishte e qartë që ishte shumë e lumtur, kishte një shkëlqim të veçantë”, pati thënë një burim atëherë.
Po atë vit, ajo debutoi në tapetin e kuq përkrah Crowe në premierën e filmit të tij “Poker Face” në Romë.
“Russell dukej i lumtur që më në fund u shfaq publikisht me Britneyn në krah”, ka thënë një dëshmitar.
Në muajin korrik të këtij viti, aktori u pa duke blerë një unazë, gjë që sërish ringjalli zërat për martesë, por burimet afër tij konfirmuan se ndonëse Crowe është i dashuruar dhe e vlerëson partneren e tij, ai nuk ka ndërmend të martohet sërish.
“Që kur e ka njohur Britneyn, ai u ka thënë miqve se ajo është ndryshe. Është e përkushtuar, argëtuese dhe e bukur, gjithçka që ai ka kërkuar në një partnere”, ka thënë një burim.
The post Russell Crowe tregon përse nuk do të martohet sërish appeared first on Alsat.

