Zastava 101 është vetura e famshme e prodhuar në ish-Jugosllavi, përcjell TV21. U prodhua me licencë dhe bazuar në modelin Fiat 128. Për herë të parë u shfaq në publik në vitin 1971.
Vetura me 5 dyer, një limuzinë e kombinuar, ngjalli shpejt interes të madh te publiku.
Një nga avantazhet e kësaj veture në atë kohë, ishte çmimi.
Sipas informacioneve nga forumi Zastava, çmimi i Zastava 101, i publikuar në vitin 1972 në revistën “AVTO” ishte 40,040 dinarë, ose rreth 2,084 dollarë në atë kohë.
E përkthyer në vlerat e sotme, marrë parasysh edhe inflacionin, llogaritet se çmimi i kësaj veture do të ishte rreth 15.500 dollarë ose rreth 15.000 euro, shkruan N1.
Ndoshta një tregues edhe më i mirë është fuqia blerëse e qytetarëve përmes pagave mesatare. Në fund të viteve ’80, Vetura 101 ishte një nga modelet më të lira në treg, që kushtonte rreth 38 paga mesatare.
Kompania Zastava ka prodhuar vetura për 37 vjet, deri më 21 nëntor 2008.
