Gazetare: Fatlume Dervishi

Edhe dy ditë pas takimit të liderëve në të cilin u tha se u arrit një konsensus për ligjin për shkeljet në trafik, nuk është caktuar seancë plenare për miratimin e tij. Dilemat mbeten nëse BDI-ja mund të ndryshojë qëndrim për mbështetjen që paralajmëroi. Kryeministri Hristijan Mickoski nuk ka dyshime që ligji do të miratohet duke shtuar se nuk pret kalkulime politike kur bëhet fjalë për jetën e njerëzve.

“Ajo për të cilën u morëm vesh në takimin e liderëve ishte mbështetje pa kushte. Ai përmendi se janë dorëzuar disa amendamente të cilat më pas në bisedime me ministrin e Brendshëm u konstatua se nuk ekzistojnë. Por, edhe përskaj kësaj, u morëm vesh që gjatë ditës së djeshme në nivel të koordinatorëve të grupeve parlamentare të ketë mbledhje dhe të gjitha temat e paqarta të qartësohen. Ajo mbledhje u mbajt dje dhe meqë ministri i Brendshëm është jashtë vendit, ai u kyç me telefon. U sqaruan të gjitha paqartësitë dhe pres që ligji në seancën e ardhshme parlamentare të kalojë. Përsëris, ai kalon me 2/3 e votave, pa badenter”, Hristijan Mickoski, Kryeministri.

Nëse ligji miratohet, ai pritet të kapë vetëm katër lloje të shkeljeve; parkim të paligjshëm, kalim të semaforit të kuq, drejtim mjeti me regjistrim të skaduar dhe tejkalim shpejtësie.

Për tejkalimin e shpejtësisë, pragu i tolerancës do të jetë: 6 kilometra në orë për rrugët ku shpejtësia maksimale është deri në 100 km/orë; 8 për shpejtësi mbi 100 km/orë dhe 12 km/orë për vendet ku shpejtësia maksimale e lejuara është mbi 200 km/orë.

Edhe pse ka pasur reagime dhe kërkesa që lista e shkeljeve që kapin këto kamera të shtohet, kryeministri thotë se për këtë do të kërkohej ndryshimi i më shumë ligjeve.

“Që “Safe City” të regjistrojë edhe shkelje të tjera ose vepra penale, duhet të ndërhyhet në ligje. Nëse kjo që kërkojnë organizatat nuk është në ligj, atëherë “Safe City” nuk mundet ta regjistrojë. Duhet të ndryshohen ligjet, që të mund të regjistrohen”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministri.

Caktimi i gjobave për shkeljet e detektuara përmes sistemit “Safe City” do të fillojë që nga 1 shkurti, nëse ligji miratohet në Kuvend. /Alsat.mk

The post “Safe City”, kuvendi nuk është mbledhur akoma për të miratuar ndryshimin e ligjit/ Mickoski nuk pret kalkulime politike appeared first on Alsat.