Gazetare: Ajnur Bafqari
Ka shkuar në 41 numri i makinave të konfiskuara që kur hyri në fuqi sistemi “Safe City”, bashkë me ndryshimet në ligjin për kundërvajtje dhe Kodin Penal. Vetëm për 8 ditë janë privuar nga liria 53 shoferë që kanë drejtuar makinën pa patentë shoferi.
“Në periudhën nga 01.02 deri më 08.02.2025 në territorin e të gjithë shtetit me udhëzim të prokurorit publik, janë konfiskuar gjithsej 41 automjete, ndërsa në periudhën e njëjtë, 53 shoferë janë privuar nga liria për shkak të drejtimit të automjetit pa leje për vozitje”, tha Goce Andreevski, zëdhënës i MPB-së.
Sipas Kodit Penal, konfiskimi i makinave bëhet për shkelje serioze në trafik. Respektivisht kur shoferi drejton makinën pa patentë, përfshirë periudhën që shoferi mund të ketë ndalesë të përkohshme, apo patentë të pavlefshme. Më tej nëse shoferi drejton i dehur ose nën ndikim të drogës, si dhe nëse tejkalon shpejtësinë në mënyrë shumë të rrezikshme. Kur shoferi tejkalon shpejtësinë për mbi 70 km/h në qytet ose mbi 90 km/h jashtë qytetit, sidomos nëse ka shkelje të mëparshme për shpejtësi.
Në procedurën penale, konfiskimi nuk është dënim automatik, por masë të cilën Gjykata e vendos në mënyrë të veçantë, mbi baza të rrethanave konkrete. Pra, rolin kyç e luan gjykata dhe jo prokuroria dhe policia. /Alsat.mk
The post Safe City, mbi 40 shoferë mbetën pa makinat e tyre appeared first on Alsat.
