Safe City nuk do të zbatohet tani, partitë pajtohen për shtyrje

Edhe pushteti edhe opozita në parim mbështesin sistemin “Safe City”, por asnjëra prej tyre nuk e precizon qartë nëse do të marren parasysh kërkesat e qytetarëve dhe të kërkojnë kohë shtesë nga MPB për adaptim me këtë sistem. Aleksandar Nikollovski pret që të gjitha partitë ta mbështesin Ligjin për kundërvajtje, për të cilin nevojiten dy të tretat e votave.

“Bëhet fjalë për çështje parimore, ne mund ta shtyjmë për një muaj, 3, 6 apo 1 vit, por në fund të ditës çështja është nëse duam të kemi rend në shtet ose jo…..Shpresoj se do të zë mend opozita dhe ligjet, e sidomos ato për të cilat nevojiten dy të tretat, veçanërisht pas premtimit në takimin e liderëve shpresoj se do të votohen në Kuvend”, tha Aleksandar Nikollovski, VMRO-DPMNE.

Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe thotë se në parim e mbështesin sistemin, por duhet të diskutohen çështjet e privatësisë dhe lartësisë së dënimeve.

“Mbështetja që ai ligj do ta ketë është në drejtim të sigurisë në trafik, kjo është diçka që është e nevojshme. Dy aspekte shumë të rëndësishme që pushteti nuk përgjigjet. E para çfarë do të ndodh me numrin e madh të të dhënave që ai sistem i gjeneron, duke pasur parasysh faktin se VMRO-DPMNE është e njohur për keqpërdorimin e të dhënave të tilla dhe puna e dytë është lartësia e dënimeve”, u shpreh Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.

Nga VLEN thonë se po i përcjellin me vëmendje reagimet e qytetarëve lidhur me këtë çështje dhe për ta është me rëndësi që sistemi të hyjë në fuqi, kur të jenë gati të gjitha kushtet ligjore dhe teknike.

“Ne e mbështesim këtë projekt sepse sjell më shumë rend dhe siguri në rrugë, por njëkohësisht jemi të interesuar që qytetarët të kenë informim të mjaftueshëm.
E kuptojmë kërkesën për më shumë kohë, por çështja e afateve është në kompetencë të MPB-së dhe varet nga baza ligjore dhe përgatitja teknike”, thonë nga VLEN.

Nga BDI thonë se nëse konstatohet se nevojitet një periudhë më e gjatë nga miratimi i ligjit deri në zbatim, partia do ta shqyrtojë.

“Në sistemin juridik, janë disa ligje që ju nevojitet një ‘vacatio legis’ më e gjatë, dmth një periudhë më e gjatë nga miratimi i ligjit deri në fillimin e zbatimit të tij. Nëse një periudhë e tillë konstatohet se është e nevojshme për këtë ligj specifik, respektivisht nëse një gjë e tillë do të kontribuonte më shumë drejt mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve dhe ndëshkimit të shkelësve të rregullave në komunikacion, pa dyshim se do ta marrim në shqyrtim”, thonë nga BDI.

Nëse konstatohet se është e nevojshme për këtë ligj specifik, pa dyshim se do ta marrim në shqyrtim.

Më 1 shkurt përfundon periudha testuese e sistemit “Safe City”. Në fillim vërejtje arrinin numër rekord deri në 60 mijë në ditë, ndërsa tani autoritetet thonë se shkojnë më së shumti deri në 2000 vërejtje. Aktualisht sitemi zbatohet në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë.