Sali: Gjuha shqipe është e drejtë kushtetuese, jo çështje vullneti

VLEN thotë se do të përpiqen të përmirësojnë defektin ligjor që studentët të mund të kalojnë provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe. Sipas zv.kryeministrit të parë Bekim Sali, Ministria e Drejtësisë duhet t’i mundësojë çdo studenti të drejtën e tij kushtetuese.

“Ka një defekt në ligj. Nuk është precizuar gjuha në të cilën duhet të jepet provimi i jurisprudencës dhe këtë defekt do të mundohemi ne tani ta përmirësojmë apo ta precizojmë për arsye se, siç duket, Ministria e Drejtësisë nuk është e gatshme ta respektojë Kushtetutën e cila nënkupton që gjithçka mbi 20% e popullsisë duhet të respektohet gjuha amtare dhe gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare dhe është e drejtë e çdo juristi apo të diplomuari që provimin e jurisprudencës ta japë në gjuhën amtarë, në gjuhën shqipe. Këtu dua ta përsëris qëndrimin e VLEN-it që kemi pro kësaj kërkese dhe përkrahja jonë do të jetë maksimale që ata ta japin provimin në gjuhën shqipe”, tha Bekim Sali, Zv.kryeministër i parë.

Por, Fronti Evropian kërkon më shumë sqarime për refuzimin që ministri Igor Fillkov i bëri peticionit të studentëve. Sipas tyre, Sali duhet të kërkojë përgjegjësi, madje edhe dorëheqje nga Fillkov.
Fronti Evropian në Kuvend tha se do të dorëzojë propozim ndryshime me procedurë të shkurtuar të tre ligjeve, atij të jurisprudencës, të noterisë dhe të përmbarimit.

“Në qoftë se z.Sali është zv.kryeministër i pare, atëherë ai është i pari që duhet t’i kërkojë llogari ministrit të Drejtësisë për këtë veprim dhe ndoshta të kërkojë dorëheqjen e tij. Vlerësojmë se çdo përpjekje për relativizimin e statusit të gjuhës shqipe përbën shkelje të marrëveshjeve politike që kanë garantuar stabilitetin ndëretnik dhe orientimin evropian të shtetit. Ne si grup parlamentar qëndrojmë fuqishëm përkrah studentëve duke i adresuar kërkesat e tyre legjitime në rrugë institucionale”, deklaroi Rina Ajdari, Koordinatore e grupit parlamentar të Frontit Evropian.

Opozita madje akuzon pushtetin se kishin ndërprerë një nismë që qeveria e kaluar e kishte nisur për provim të jurisprudencës në gjuhën shqipe. /Alsat.mk