Në prag të Shqipëri–Bjellorusi, përballje e Grupit C në Ligën e Kombeve, Taulant Seferi foli për objektivin e kuqezinjve, rolin e tij në skemën e trajnerit Rolando Maran dhe qasjen ndaj një kundërshtari që Shqipëria e nis si favorite. Sulmuesi theksoi nevojën për përqendrim maksimal dhe paralajmëroi një kombëtare më të orientuar drejt lojës me topin.

Kërkohet vendi i parë në këtë grup, sa mund t’ju vendosë kjo nën presion?

Padyshim, vendi i parë është objektivi ynë. Ne duhet ta marrim çdo ndeshje me radhë. Nuk ka më sfida të lehta. Duhet të japim maksimumin. Shpresoj që në fund ta arrijmë objektivin, duhet të punojmë fort.

Në Turqi keni shënuar shumë, te kombëtarja jeni disi më i tërhequr. Cili do të jetë roli juaj në fushë?

Trajneri Maran do të luajë më shumë me topin, pra do të jemi më shumë ofensivë. Këto ditë kemi punuar më shumë me topin, se si do të dalim përpara. Shpresoj që këto që po punojmë me Maran të dalin të sakta edhe në lojë. Na pëlqen të gjithëve sistemi i trajnerit Maran, shpresoj t’ia dalim me sukses.

Pozicioni juaj me trajnerin Maran, a keni biseduar me të?

Trajneri u jep vlerësim të gjithë futbollistëve. Unë respektoj vendimin e trajnerit. Besoj se Maran i ka pëlqyer paraqitja ime edhe në dy ndeshjet miqësore të mëparshme, sikurse tek ekipi në Turqi. E vlerësoj çdo vendim të trajnerit. Ne jemi të kënaqur që jemi në kombëtare. Grupi të sjell suksese dhe fitore.

Si e keni përgatitur ndeshjen në kushtet kur jeni favorit përballë Bjellorusisë?

Objektivi ynë është vendi i parë, duhet të fokusohemi në çdo ndeshje. Nuk duhet të ketë asnjë nënvlerësim për rivalin. Ne kemi shumë besim, sepse kemi grupin të mirë dhe do t’ia dalim me sukses.

 

The post Seferi: Vendi i parë është objektivi, me trajnerin Maran do të jemi ekip më sulmues appeared first on Telesport.