Një kontroll në tezgat e Tregut të Gjelbër në Çair ka zbuluar shitjen e produkteve akcizore pa pulla akcize. Dogana ka sekuestruar 135 kilogramë duhan të grirë dhe 30 litra alkool, ndërsa vlera e akcizës së papaguar arrin në 337.558 denarë.

Gjatë aksionit, zyrtarët doganorë nga Drejtoria Doganore në Shkup dhe ekipet mobile të Departamentit për Operacione kanë kapur tre persona duke shitur produkte akcizore pa pullat përkatëse.

“Gjatë kontrollit të produkteve akcizore në tezgat e Tregut të Gjelbër në Çair, janë kapur tre persona duke shitur produkte akcizore pa pulla akcize. Ata i kanë vendosur mallrat në shitje në kundërshtim me ligjin, pa e paguar paraprakisht akcizën ndaj shtetit”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Doganave.

Për dy persona janë ngritur procedura kundërvajtëse, ndërsa ndaj personit të tretë, i cili dyshohet se ka shitur produkte duke shmangur pagesën e akcizës në vlerë prej rreth 257 mijë denarësh, do të parashtrohet kallëzim penal.

Nga Dogana theksojnë se kontrollet në tregjet e brendshme do të vazhdojnë, krahas hetimeve të përforcuara për importin e duhanit dhe produkteve të duhanit, me qëllim luftimin e tregtisë së paligjshme dhe shmangies së detyrimeve ndaj shtetit.